back to top
13.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetGara e dështuar/ Drejtori i Gardës në dorë të Kryeministrit

Gara e dështuar/ Drejtori i Gardës në dorë të Kryeministrit

Pas dështimit të garës për zgjedhjen e drejtorit të ri të Gardës së Republikës, mazhoranca ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon ndryshime të rëndësishme në ligj dhe kriteret për përzgjedhjen e kreut të këtij institucioni.

Projektligji, i paraqitur nga deputetja socialiste Antoneta Dhima, parashikon heqjen e konkursit publik për emërimin e drejtuesit të Gardës. Sipas ndryshimeve të propozuara, drejtori do të zgjidhet drejtpërdrejt nga Kryeministri me propozim të Ministrit të Brendshëm, duke u hequr çdo kriter i konkurrimit dhe meritokracisë që ligji aktual parashikon.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është kufizimi që drejtori i Gardës mund të zgjidhet vetëm nga radhët e punonjësve të institucionit, me gradën “Drejtues i Parë” ose “Drejtues i Lartë”, duke eliminuar mundësinë e emërimit nga jashtë Gardës.

Projektligji parashikon gjithashtu heqjen e kërkesës për arsimim në nivel master dhe përvojë pune prej 10 vitesh në fushën e rendit dhe sigurisë, që ishin kriterë të detyrueshëm sipas ligjit aktual.

Sipas burimeve, këto ndryshime vijnë pas dështimit të garës së fundit, ku një prej kandidatëve që pritej të zgjidhej nuk përmbushte disa nga kriteret ligjore, përfshirë edhe arsimimin në nivel master.

Mazhoranca argumenton se ndryshimet synojnë përshpejtimin e procesit të përzgjedhjes dhe zgjedhjen e një drejtuesi të Gardës që tashmë ka eksperiencë brenda institucioneve. Ndërkohë, opozita dhe ekspertët e sigurisë kanë shprehur shqetësime se heqja e konkursit dhe kriterëve mund të reduktojë transparencën dhe llogaridhënien në emërimet e larta.

Ky projektligj do të diskutohet së shpejti në Kuvend dhe pritet të nxjerrë një vendim përfundimtar për mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesit të Gardës së Republikës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat