Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me projektin e portit në Porto Romano, duke pretenduar se në Durrës është zhvilluar një takim mes një gjenerali të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa zyrtarëve të qeverisë shqiptare.
Sipas Murrizit, takimi ka ndodhur më 10 shtator, kur një gjeneral i Marinës amerikane ka mbërritur me fregatë nga Deti Baltik dhe ka zhvilluar një drekë me ministrin e atëhershëm Pirro Vengu, si dhe me Elisa Spiropali dhe Arbjan Mazniku.
Në një intervistë televizive, Murrizi pretendoi se gjatë këtij takimi është dhënë një mesazh për kryeministrin Edi Rama, në lidhje me projektin e portit të ri në Porto Romano.
“Sipas informacioneve që kam, më 10 shtator një gjeneral i madh i marinës erdhi me fregatë nga Deti Baltik dhe thirri në një drekë ministrin Pirro Vengu dhe dy dëshmitarë, Maznikun dhe Spiropalin. Mesazhi ishte: thuajini atij burrit që nuk na kalon dot nën hundë, nuk mund t’ia japë portin e NATO Rusisë”, u shpreh ai.
Murrizi shtoi gjithashtu se ky takim mund të ketë lidhje edhe me largimin e Elisa Spiropalit nga detyra e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme në atë periudhë.
“Pyeteni Ramën ose Spiropalin nëse është kështu apo jo. Spiropali është shkarkuar më 10 shtator, që do të thotë se ka qenë në një drekë të gabuar. Ajo ka heshtur deri tani, por ndoshta më vonë mund të tregojë çfarë është diskutuar”, deklaroi ish-deputeti demokrat.



