Dy muaj pasi pranoi ftesën e Kryeministrit Edi Rama, politikani britanik Nigel Farage ka konfirmuar se do të zhvillojë një drekë me kreun e qeverisë shqiptare, ku tema qendrore do të jetë deportimi i kriminelëve të huaj nga Mbretëria e Bashkuar, çështje që sipas tij përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare britanike.
Gjatë një fjalimi para anëtarëve të partisë Reform UK, Farage bëri disa deklarata ironike:
“Do të rezervoj një avion shumë të madh dhe ndoshta do të marr një ngarkesë me vete (të burgosur), nuk jam ende i sigurt,” tha ai, duke shtuar se një nga prioritetet e tij është ndalimi i hyrjes ilegale në Britani dhe deportimi i personave që përbëjnë rrezik për shoqërinë.
Deklaratat e Farage vijnë pas një debati të distancuar në rrjetet sociale me Kryeministrin shqiptar në korrik. Shkak ishte një statistikë e paraqitur nga Farage, sipas të cilit “1 në 50 shqiptarë në Britani është i burgosur”. Rama e kundërshtoi publikisht, duke theksuar se raporti i saktë është “1 në 100” dhe akuzoi Farage për përhapje të të dhënave të pavërteta që stigmatojnë shqiptarët.
Pas këtij debati, Farage pranoi ftesën e Ramës për vizitë në Shqipëri:
“E pranoj ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë si i ftuari i tij i nderit. Do të diskutojmë së bashku kthimin pas të të burgosurve shqiptarë,” u shpreh Farage.
Takimi pritet të zhvillohet brenda disa javësh dhe ka ngjallur interes të madh, duke reflektuar tensionet dhe debatet mbi emigracionin dhe sigurinë në Mbretërinë e Bashkuar dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.