Klubi legjendar i AC Milan ka zgjedhur shqiptarin Igli Tare si drejtorin e ri sportiv, një emërim që ka ngjallur entuziazëm të madh jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri, ku figura e Tarës është simbol i suksesit, profesionalizmit dhe përfaqësimit dinjitoz ndërkombëtar.
Gazetari i njohur sportiv Dritan Shakohoxha ka reaguar me emocion dhe krenari në një postim që është bërë viral në rrjetet sociale. Me tone nostalgjike dhe lavdëruese, Shakohoxha kujton rrugëtimin e gjatë të Tarës, që nga fëmijëria si tifoz i Milanit, te karriera si futbollist, trajner e drejtor, deri te ky moment historik në karrierën e tij.
“Ke gjithë jetën që je kuq e zi”, shkruan Shakohoxha, duke përmendur Flamurtarin, Partizanin, Kombëtaren shqiptare dhe suksesin spektakolar te Lazio, ku Tare u bë simbol i ringritjes së klubit në një nga momentet më të vështira të historisë së tij.
Gazetari thekson se tashmë, në krye të një prej klubeve më të mëdha në botë, Igli Tare pritet të jetë njeriu që do t’i rikthejë lavdinë Milanit të madh, një klub me 7 Champions League në vitrinë.
“Je nder e krenari për të gjithë ne. Jam krenar për ty, more djali i profesor Isait e zonjës Aleksandra,” përfundon Shakohoxha, duke përçuar emocionin e mijëra shqiptarëve që shohin në Igli Tarën një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar.
Emërimi i Tarës në këtë detyrë të lartë në Milan është një tjetër dëshmi se shqiptarët, me punë dhe përkushtim, arrijnë majat edhe në arenën më të lartë të futbollit botëror.