Ikona e popit nga Kosova, Dua Lipa, ka hyrë për herë të parë në listën prestigjioze të të pasurve të “The Sunday Times” për vitin 2025 – duke u bërë personi më i ri në këtë renditje. Këngëtarja 29-vjeçare, e njohur për hitet e saj botërore dhe fituese e çmimeve të shumta ndërkombëtare, përfshirë tre Grammy dhe disa Brit Awards, është renditur në vendin e 34-të.
Përveç saj, në listë spikasin edhe emra të njohur të skenës britanike si çifti David dhe Victoria Beckham, të cilët këtë vit kanë parë një rritje të konsiderueshme të pasurisë së tyre neto. Sipas përllogaritjeve, pasuria e tyre arrin në plot 500 milionë paund.
Ndërkohë, në mesin e personave më të pasur nën moshën 40-vjeçare, ndodhet edhe ylli i reality-TV, Georgia Toffolo, së bashku me bashkëshortin e saj James Watt – bashkëthemelues i kompanisë BrewDog – me një pasuri të përbashkët prej 425 milionë paund. Vetë Toffolo vlerësohet të ketë 115 milionë paund.
Lista e këtij viti ka shënuar një ulje të ndjeshme në numrin e miliarderëve në Britani, me vetëm 156 emra të përfshirë – numri më i ulët në 37 vite histori të këtij publikimi, krahasuar me rekordin prej 177 emrash në vitin 2022.
“The Sunday Times Rich List” përfshin 350 njerëzit më të pasur në Britani, të cilët së bashku zotërojnë një pasuri totale prej 772.8 miliardë paund – shifër që shënon një rënie prej 3% krahasuar me një vit më parë. Vlerësimet janë bazuar në pasuri të identifikueshme si prona, toka, asete si arti dhe kuajt e garës, si dhe aksione në kompani publike, por nuk përfshijnë llogaritë bankare.