Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka reaguar për herë të parë lidhur me draftin e ri të Kodit Penal, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që ka shkaktuar debat të fortë në opinionin publik e atë profesional.
Në një takim informal me gazetarët që ndjekin çështjet e drejtësisë, Dumani ka sqaruar se SPAK nuk ka qenë pjesë e procesit të hartimit të draftit dhe se ende nuk e ka marrë dokumentin në mënyrë zyrtare për shqyrtim.
“Është një draft. Ne nuk e kemi marrë zyrtarisht dhe nuk jemi përfshirë në hartimin e tij. Kur të na vijë, do ta analizojmë dhe do të mbajmë një qëndrim,” – është shprehur Dumani.
Duke iu referuar debatit mbi nevojën për një Kod Penal të ri, ai theksoi se diskutimi i parë duhet të ishte mbi vetë nevojën për një kod të ri, apo ndërhyrje në Kodin ekzistues.
“Unë personalisht mendoj se ka nevojë për ndryshime. Për shembull, neni për narkotikët duhet të riformulohet, duke u ndarë sipas llojit dhe sasisë së drogës,” – tha kreu i SPAK.
Ai shtoi se SPAK do të japë opinionin e vet në mënyrë të argumentuar, në momentin që i dërgohet zyrtarisht drafti nga institucionet përgjegjëse.
Ky qëndrim i Dumanit vjen në një kohë kur debati mbi procesin e hartimit të Kodit Penal është përshkallëzuar, pas distancimit publik edhe të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila sqaroi se nuk ka dhënë dakordësi për versionin aktual të draftit.