Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka ngritur alarmin për rrezikun që paraqet krimi i organizuar në rajon, duke theksuar se asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm këtë kërcënim. Gjatë një deklarate publike, ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për të goditur rrjetet kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
“Grupet kriminale janë të ndërlidhura, aktivitetet e tyre janë transnacionale dhe hetimet shpesh na çojnë në pista që shtrihen në disa vende,” u shpreh Dumani.
Sipas kreut të SPAK, krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk mund të luftohen në mënyrë të izoluar, ndaj është koha për më shumë operacione të përbashkëta, shkëmbim informacioni dhe koordinim mes vendeve të rajonit.
Ai shtoi se shpërbërja e strukturave kriminale kërkon veprim të vendosur dhe kolektiv:
“Hetimet nuk mund të kufizohen vetëm brenda një territori. Duhet të kemi qasje të përbashkët dhe reagim të sinkronizuar për të qenë të efektshëm.”