Etleva Skonja
Nga tension i nënkuptuar në një përplasje të hapur institucionale. Marrëdhënia mes kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ka kaluar në një fazë të re përplasjeje, duke vënë në qendër një nga çështjet më të ndjeshme të drejtësisë shqiptare, si balanca mes pavarësisë dhe llogaridhënies.
Si nisi përplasja?
Përplasja e parë mes Altin Dumanit dhe Ulsi Manjës ndodhi në një takim të zhvilluar më herët në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, në prani të drejtuesve të lartë të sistemit të drejtësisë.
Dumani shprehu shqetësimin se po tentohej të rritej presioni institucional ndaj SPAK, përmes rekomandimeve te Qeverise, që sipas tij, mund të përdoren si forma të ndërhyrjes indirekte.
“SPAK është një institucion i pavarur, dhe çdo përpjekje për t’i dhënë rekomandime me karakter udhëzues apo orientues, në fakt tenton të ngushtojë autonominë tonë funksionale,” ka deklaruar Dumani në takim.
Ministri Manja kundërshtoi këtë qasje, duke theksuar se pavarësia nuk nënkupton paprekshmëri dhe se çdo institucion, përfshirë SPAK, duhet të ketë përgjegjësi të qarta përpara publikut dhe shtetit.
“Askush nuk është mbi ligjin. Pavarësia është e domosdoshme, por nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj llogaridhënies,” ishte qëndrimi i Manjës në atë takim, sipas burimeve të pranishme.
Tensioni institucional u thellua serish gjatë tryezës së organizuar mbi “Vlerësimin e Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”.
Altin Dumani, në prani të krerëve të institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, artikuli për herë të parë qartazi vijat e kuqe të SPAK përballë pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ:
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv vlerësohen, por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë përmes rekomandimeve të njëanshme apo të paqarta rrezikon të zhbalancojë kufijtë mes pushteteve. Rekomandimet nuk kanë rol detyrues. Ato duhet të jenë mbështetëse, jo penguese”, tha ai.
Dumani përmendi edhe raportet me Kuvendin dhe Këshillin e Ministrave, duke theksuar se komunikimi institucional ka qenë i hapur, por thelbi i pavarësisë nuk mund të komprometohet përmes presioneve indirekte:
“Çdo rekomandim që del nga korniza kushtetuese, është ndërhyrje në thelb. SPAK nuk është degë e ekzekutivit. Ne raportojmë për transparencë, jo për udhëzim”, u shpreh Dumani.
Manja: Drejtësia duhet të japë llogari
Ulsi Manja, në të njëjtën tryezë, u përgjigj me një ton të prerë, duke dhënë një mesazh të qartë se as SPAK, as ndonjë institucion tjetër i drejtësisë, nuk është përjashtuar nga kontrolli demokratik.
“Pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por t’i shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit”, tha Manja.
Ministri shtoi se roli i qeverisë ndaj SPAK nuk është as udhëzues, as mbikëqyrës, por pjesë e arkitekturës institucionale që garanton funksionimin e sistemit.
“Roli i ekzekutivit nuk është për të cenuar pavarësinë, por për të siguruar burime, siguri, strategji dhe bashkëpunim institucional. Nëse drejtësia është e pavarur, por nuk jep llogari, ajo humbet besimin publik”, u shpreh ministri.
Në përfundim të fjalës së tij, Manja tha me ton të prerë:
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj.”
SPAK, institucion i pavarur apo mbi sistem?
Ky shkëmbim deklaratash nxjerr në pah një konflikt të thellë institucional mbi rolin real që duhet të ketë SPAK në raport me qeverinë dhe pushtetet e tjera.
Nëse SPAK duhet të mbrojë autonominë e vet deri në skaj, apo nëse ajo duhet të pranojë mekanizma kontrolli dhe orientimi nga qeveria, është debati që po polarizon diskursin politik e institucional në Tiranë.
Dumani përfaqëson një qasje “fortese”, se SPAK është i pavarur dhe nuk pranon ndikime.
Manja kërkon një qasje të “balancuar”, pasi sipas tij, SPAK është i pavarur, por duhet të jape llogari përpara qytetarëve dhe institucioneve.
Përplasja Dumani–Manja është një pasqyrë e tensionit të brendshëm në reformën në drejtësi, ku ekuilibrat institucionalë janë ende në ndërtim e sipër.
Nëse përplasja do të shndërrohet në krijim të mekanizmave të rinj kontrolli ndaj SPAK, apo do të mbyllet si zhurmë institucionale e përkohshme, do të varet nga qëndrimi i aktorëve kryesorë politikë dhe ndërkombëtarë.
Për momentin, është e qartë një gjë: Asgjë nuk është më tabu në sistemin e ri të drejtësisë, as fjala për pavarësinë, dhe as fjala për përgjegjësinë.