Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, sqaroi në Kuvend se rasti i dhunës dhe kërcënimit ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, gjatë zgjedhjeve të 11 majit në Vorë, nuk është në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme.
Në përgjigjen e dhënë ndaj pyetjes së deputetit Flamur Noka, Dumani deklaroi se çështja është referuar menjëherë për ndjekje në Prokurorinë e Tiranës, pasi nuk bëhet fjalë për një vepër penale që hetohet nga SPAK.
“Për rastin e pyetjes që lidhet me kërcënimin e deputetes Albana Vokshi në Vorë ditën e zgjedhjeve, rasti ku ishit edhe ju, prokurori i ngarkuar i SPAK që mbulonte Tiranën ka marrë kontakt direkt dhe është informuar për situatën. Kemi konstatuar se nuk është në kompetencën tonë,” tha Dumani.
Ai shtoi se, megjithëse deputetët janë subjekte të posaçme për disa raste, vepra të tilla si dhuna nuk hyjnë në juridiksionin e SPAK:
“Deputeti është subjekt i posaçëm, por jo për rastet e dhunës, pasi kjo nuk është kompetenca jonë. Kemi kontaktuar dhe referuar rastin te Prokuroria e Tiranës, duke vepruar menjëherë.”



