Dy kandidatë për deputetë të Partisë Socialdemokrate në qarkun e Lezhës, Leonard Trokthi dhe Etmond Stojani, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga kandidimi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Të dy emrat, pjesë e listës së hapur të PSD-së, e cila drejtohet nga Tom Doshi, kanë paraqitur zyrtarisht kërkesat për tërheqje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në dokumentin e dorëzuar nga secili prej tyre theksohet: “Për shkak të pamundësisë aktuale për t’u angazhuar në fushatë zgjedhore, paraqes dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi”, shkruan VNA.al.
Trokthi dhe Stojani ishin ndër shtatë kandidatët e listës së PSD-së në Lezhë. Megjithëse kanë dhënë dorëheqjen, emrat e tyre do të vijojnë të mbeten në fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit, sipas rregullave në fuqi të administrimit zgjedhor.