Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka marrë të pandehura dy mjeke obstetër-gjinekologe, E.K. dhe I.M., të cilat akuzohen për veprën penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 225 të vitit 2023, të nisur pas denoncimit të një pacienteje, shtetases G.S., e cila ka humbur foshnjën pas lindjes për shkak të ndjekjes së pasaktë mjekësore gjatë shtatzënisë.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se dy mjeket kanë treguar sjellje të pakujdesshme dhe neglizhente, duke mos respektuar protokollet standarde të ndjekjes së shtatzënisë, mosmonitoruar shenjat vitale të pacientes dhe mosreaguar ndaj përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Detajet e hetimit
Hetimi ka zbuluar se mjekja I.M. nuk ka hapur dhe nuk ka mbajtur historikun mjekësor të shtatzënisë së pacientes, ndonëse e kishte ndjekur për një periudhë të gjatë kohore. Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të pacientes, ajo nuk ka kryer ekzaminime të thelluara shtesë.
Kjo sjellje, sipas akuzës, ka çuar në pasoja të rënda – lindjen e një foshnje prematur me probleme serioze shëndetësore, e cila humbi jetën, si dhe rrezikimin e rëndë të shëndetit të nënës.
Më pas, pacientja iu drejtua mjekes E.K., por edhe ajo – sipas Prokurorisë – ka shfaqur të njëjtën neglizhencë profesionale, duke mos marrë masa mjekësore për trajtimin e një gjendjeje që rezultoi të ishte pre-eklampsi e formës së rëndë, një komplikacion i rrezikshëm për jetën e nënës dhe fëmijës.
Në dosjen hetimore theksohet se gjatë periudhës së ndjekjes nuk ekziston asnjë dokumentim i parametrave jetësorë të pacientes, si tensioni apo pesha trupore, të cilat janë detyrime bazë të çdo kontrolli obstetrik.
Sipas organit të akuzës, mungesa e plotë e historikut mjekësor dhe moszbatimi i protokolleve përbëjnë shkelje të rënda të detyrimeve ligjore dhe etike që ka një profesionist shëndetësor ndaj pacientit.
Në fund, pacientja është shtruar në maternitetin “Koço Gliozheni” me diagnozën pre-eklampsi e avancuar, ku mjekët kanë ndërhyrë menjëherë për ndërprerjen e shtatzënisë për shkak të rrezikut të lartë për jetën e nënës.
Prokuroria thekson se kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së ndjekjes së duhur mjekësore nga ana e dy mjekeve që e kishin trajtuar më parë pacienten, duke plotësuar të gjitha elementet e figurës së veprës penale të “Neglizhencës në trajtimin mjekësor”.



