Policia e Shtetit ka njoftuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e djeshëm në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër, ku një person hapi zjarr në ambientet e jashtme të një lokali.
Rreth orës 08:50, shtetasi Rakip Gila dyshohet se ka qëlluar me armë automatike ndaj disa personave, duke shkaktuar dy viktima dhe dy të plagosur. Viktimat janë Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, dhe Liridon Kraja, 31 vjeç, i njohur edhe si Lushi, i cili humbi jetën në spital.
Të plagosur kanë mbetur Erogen Vaso, 43 vjeç, i njohur edhe si Bajroviç, dhe një 25-vjeçare me inicialet M.K., e cila ka marrë dëmtime të lehta. Të dy ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa 25-vjeçarja jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet policore arrestuan autorin pas disa minutash dhe sekuestruan armën e krimit, një armë automatike. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.