Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në protesta masive dhe greva në të gjithë Greqinë, ndërsa vendi shënon përvjetorin e dytë të aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi, pasojat e të cilit kanë vënë kryeministrin Kyriakos Mitsotakis në qendër të kritikave.
Ekspertët janë shprehur se tragjedia lidhet me gabime dhe dështime të mëdha në sistemin hekurudhor grek, ndërsa organizatorët e protestës kanë premtuar se demonstratat e së premtes, të cilat përkojnë me një grevë kombëtare, do të jenë ndër më të mëdhatë e viteve të fundit.
Më 28 shkurt 2023, një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën në luginën e Tempes, duke shkaktuar vdekjen e 57 personave, shumica e të cilëve studentë, dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Ishte aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Greqisë.
Për kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, kjo është përballja e parë me një zemërim public kaq masiv, që nga ardhja e tij në pushtet në korrik të 2019-ës. Zemërimi i qytetarëve për mënyrën si u trajtua aksidenti – veçanërisht vendimi për të pastruar shpejt zonën duke larguar mbetjet, mes të cilave edhe prova të rëndësishme dhe mbetje njerëzore – është shtuar për shkak të dyshimeve se qeveria u përpoq të fshihte provat.
Brenda pak ditësh nga aksidenti, autoritetet greke, pa dhënë ende një shpjegim të qartë, mbuluan zonën me zhavorr dhe beton.
Akuzat për ndërhyrje të politikës në hetimin e tragjedisë janë shtuar edhe për shkak të ritmit të ngadaltë të veprimit të drejtësisë, teksa ende nuk ka patur asnjë gjyq dhe asnjë zyrtar qeveritar nuk është ndëshkuar apo mbajtur përgjegjës për tragjedinë.
Një raport prej 178 faqesh, publikuar të enjten nga një komitet i pavarur hetimor, tregoi se ndonëse shumica e viktimave humbën jetën për shkak të përplasjes së fortë mes dy trenave – fillimisht e cilësuar si gabim njerëzor i drejtuesit të njërit prej stacioneve – të paktën shtatë persona u dogjën nga një shpërthim i fuqishëm që pasoi përplasjen
Raporti përmend gjithashtu “praninë e mundshme” të një “lënde të panjohur djegëse” në vendin e aksidentit – një gjetje që forcon pretendimet e ngritura nga hetuesit e punësuar nga familjet e viktimave se treni i mallrave mund të ketë transportuar një substancë të paligjshme dhe shumë të rrezikshme.
Në raportin e përgatitur me kërkesë të familjarëve, ekspertët përmendin një ngarkesë të paidentifikuar me kimikate eksplozive në trenin e mallrave – akuza që janë përforcuar edhe nga disa diplomatë të BE-së.
Në mesin e të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Tempi ishin dhe 6 shqiptarë: Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.
Sipas organizatorëve, janë planifikuar 381 protesta, ku 262 do të zhvillohen në Athinë dhe qytete e ishuj të Greqisë, ndërsa 119 të tjera në qytete të tjera të Europës dhe Botës, përfshi edhe Tiranën.