“Zjerm” nga Shkodra Elektronike do të konkurrojë në finalen e Eurovizionit 2025 të shtunën, më 17 maj.
Shqipëria në këtë garë muzikore ka një nga përfaqësimet e saj më të çmuara dhe interesante.
Dyshja Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca përcollën te publiku shqiptar dhe ndërkombëtar atë që ata i identifikon: origjinalitetin. Skenë e rëndësishme, përgjegjësi e madhe… Që nga momenti i krijimit të kësaj kënge mes dyshes, të ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë, shkrimi i tekstit para një laptopi dhe përpunimi më tej me nota muzikore, ajo u konceptua e thjeshtë, por do të përcillte një mesazh të fortë.
“Kënga ‘Zjerm’ është rezultat i tërë prodhimeve që kemi bërë më parë dhe tërë prodhimeve që kemi bërë, por hala nuk i kemi nxjerrë. Do t’i publikojmë më 23 maj. ‘Zjerm’ është pika finale që kemi mbërritur si grup me këngët tona. Është kënga e fundit që kemi kompozuar, se s’kemi pasur kohë,” tregoi Kola për emisionin “Miqtë e Pasdites” në RTSH 1.
Deri më tani ky rrugëtim arriti majën të martën me kualifikimin e Shqipërisë në finale.
“20,” ishte përgjigjja e Beatriçes ndaj pyetjes se sa e emocionuar është këngëtarja këto ditë.
“Nuk e kam ëndërruar kurrë në jetën time [këtë sukses]. Kemi bërë dy prova para publikut me stadiumin plot dhe kjo gjë më ka mësuar një fije si të mbaj emocionet e mia, si të heq emocionet e këqija. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur.
Për ne, për veten tonë, ne kemi fituar! E kemi fituar festivalin tonë,” tha artistja.
“Ne ishim grupi i dytë që njoftuan se do të shkojmë në finale. E bënë shpejt dhe nuk krijuan ndonjë tension të kotë, sikur do të kishte ndodhur po të ishim lënë të fundit. Emocioni qe relativisht i përballueshëm,” shtoi Kola.
Në natën e Gjysmëfinales së Parë, një mbështetje të madhe pati edhe nga artistët shqiptarë, edhe nga ata që e kanë përfaqësuar vetë Shqipërinë në skenën e Eurovizionit.
“Shqiptarët na kanë zgjedhur. Ne kemi bërë muzikën tonë, si dimë ta bëjmë. E ndiejmë veten bashkartistë me tërë shqiptarët, në kuptimin që kemi shkuar të tërë bashkë në Eurovizion. Nuk është thjesht një grup që është duke përfaqësuar një vend, por jemi të tërë bashkë. Kjo është gjëja që kemi ndier më tepër këtë periudhë, por edhe qysh kur filloi Festivali i Këngës. Njerëzit kur kalonim nëpër rrugët e Tiranës të njëjtën fjalë na thoshin, këtë sensacion na jepnin, që jemi duke bërë diçka bashkë. Kjo ka qenë gjëja më emocionuese për mua, shumë më tepër sesa vetë ekzibicioni,” tha muzikanti dhe producenti shkodran.
Por jo vetëm kaq. “Zjerm” është bërë viral edhe për kërcimin e saj, aq shpesh sa në mediet online kemi video nga shqiptarë e të huaj, të cilët pyesin si janë lëvizjet dhe çfarë domethënieje kanë.
“Është e vërtetë që kënga po pëlqehet gjithandej nëpër Europë, edhe prej vendeve jashtë Europës. Komplimente prej Amerikës, Australisë, Kinës – më kanë shkruar mesazhe private. Kështu percepton se jemi duke bërë një punë të mirë. Kemi bërë një këngë që neve na pëlqen të parëve, duke menduar se pse do na pëlqente ne dhe jo juve,” rrëfeu Kola.
Me prekjen e skenës në natën e madhe të Eurovizionit, dyshja shkodrane na ka bërë të ëndërrojmë për 10-shen, por pse jo, edhe për fitoren që arti dinjitoz i duos të “shndrisë” të shtunën.
“Të bëjmë një performancë të bukur, që na pëlqen neve dhe inshallah u pëlqen të tjerëve. Kjo është dëshira më e madhe. Të jemi në skenë e ta jetojmë deri në fund,” tha Beatriçja./RTSH