Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me emërimin e Sokol Bizhgës në krye të Policisë, duke e cilësuar atë si “armik të ligjit” dhe duke kërkuar dënimin e tij për tradhti të lartë.
I pyetur nga gazetarët për emërimin e Bizhgës, Berisha deklaroi se ai ka tradhtuar një koleg të tij gjatë një ngjarjeje të rëndë kriminale në të kaluarën. Sipas Berishës, “një tradhtar i kolegut të tij, që e dogjën të gjallë në makinë kriminelët Gjergj Mehmeti dhe ky ia mbathi”, duke shtuar se pretendimet e Bizhgës se kishte kaluar nëpër male për t’u shpëtuar autorëve nuk qëndrojnë.
“Ky është një tradhtar që e meriton të dënohet për tradhti të lartë ndaj shokut, ndaj bashkëluftëtarit, të paktën 30 vite”, u shpreh Berisha gjatë deklaratës së tij.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për emërimin e Bizhgës në këtë detyrë, duke pretenduar se vendimi është marrë për arsye politike dhe në funksion të përballjes me opozitën.



