back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“E regjistroi kërcënimin dhe ma solli mua”/ Berisha zbulon rastin që rrëzoi...

“E regjistroi kërcënimin dhe ma solli mua”/ Berisha zbulon rastin që rrëzoi Ilir Rusmalin

Ish-kryeministri Sali Berisha ka rikthyer në vëmendje një episod të viteve të qeverisjes së tij, duke sqaruar arsyet pse shkarkoi nga detyra ish-ministrin Ilir Rusmali. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rusmali u shkarkua për shkak të një rasti korrupsioni, të dokumentuar me prova, duke theksuar se Edi Rama po e përdor sot si alibi politike në debatin për drejtësinë.

Si nisi historia sipas Berishës

Berisha tregoi se ngjarja lidhej me një tender të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas tij, vëllai i ministrit Rusmali i kishte shkuar drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Dashamir Maçi, për t’i kërkuar tenderin. Ky i fundit e kishte refuzuar dhe e kishte paralajmëruar se nuk kishte punë me tenderin, duke e kërcënuar më pas se do të kishte pasoja.

“Drejtori i përgjithshëm i burgjeve i tha vëllait të ministrit: nuk ke punë ti me tenderin, sepse je vëllai i ministrit. I vëllai e kërcënoi. Mençurisht, ai e regjistroi kërcënimin dhe e solli në zyrën time,” deklaroi Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, në vend që të mbante anën e drejtorit të burgjeve, i cili sipas tij kishte treguar integritet, Ilir Rusmali mori një vendim të kundërt: shkarkoi drejtorin.

“Në vend që ta lavdëronte drejtorin për qëndrimin e tij, ministri mbajti anën e vëllait dhe shkarkoi drejtorin. Ky akt tregonte qartë se ai kishte interesa dhe për këtë arsye unë vendosa ta shkarkoj,” tha Berisha.

Ai shtoi se, sapo ishte kthyer nga një udhëtim jashtë vendit, mori vendimin për largimin e ministrit.

“I thashë, me këtë që ke bërë duhet të largohesh. Ai solli një shkresë dorëheqjeje, por ishte e qartë se u shkarkua për korrupsion,” theksoi Berisha.

Sulmi ndaj Ramës

Berisha e akuzoi Edi Ramën se sot përpiqet ta përdorë Rusmalin si referencë morale, ndonëse sipas tij është i njollosur nga kjo histori.

“Edi Rama është një mashtrues ordiner. Ai citon njerëz si Rusmali, të cilët janë shkarkuar nga unë për korrupsion. Ky njeri sot është këshilltar i presidentit dhe njëkohësisht kryetar i KAS-it, gjë që ligji nuk e lejon. Ja, këta janë juristët që përdor Rama për të justifikuar shkeljen e Kushtetutës,” tha Berisha.

Duke iu kthyer debatit aktual për shkeljet e Kushtetutës, Berisha theksoi se historia e Rusmalit është dëshmi e standardeve që ai ka mbajtur ndaj korrupsionit, duke e krahasuar me qeverisjen e Ramës që sipas tij “mbron dhe promovon të korruptuarit”.

“Nëse do të mbetej te parimet, ministri duhej ta lavdëronte drejtorin që nuk pranoi presionet e vëllait të tij. Por ai zgjodhi të veprojë ndryshe dhe unë nuk mund ta toleroja. Kjo është arsyeja pse Rusmali u shkarkua,” deklaroi Berisha.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat