Në Komisionin për Politikë të Jashtme u miratua projektligjin“Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare, rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, ratifikuar me 2 ligjin nr.29/2017”.
Bëhet fjalë për një marrëveshje mes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe qeverisë shqiptare, e cila parashikon shtimin me 40.7 milionë euro të huasë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore për Aeroportin e Rinasit.
Në fjalën e saj në prezantim të këtij projektligji, zv/ministrja Enkelejda Muçaj u shpreh se financimet në këtë projekt, janë dhënë me qellim rritjen e kapaciteteve dhe standardeve institucionale, administrative dhe ato të ruajtjes së mjedisit të Hekurudhës Shqiptare, në përputhje të plotë me standardet e BERZH-it dhe direktivave të BE-së, me impakt të konsiderueshëm në implementimin e projektit, si dhe në vijueshmërinë e qëndrueshmërinë e tij gjatë procesit të shfrytëzimit të kësaj linje hekurudhore.
“36.87 milionë kredi kontrata fillestare. Objekti, shtimi i vlerës së huasë me 40.7 milionë euro. 29 mln euro për indeksimin e çmimit sipas kontratës. 10.5 mln euro për punime përmirësuese të infrastrukturës shoqëruese të hekurudhës. Me financimin e ndërtimit te 8 godinave të stacioneve, tavalet, panelet diellore, duke i dhënë element që mungonte. 1.2 mln euro cmimi shtesë. Optimizojmë nivelin e shërbimit”, tha Zv.ministrja Muçaj
Gjithashtu, sipas saj promovohet transporti i gjelbër dhe i qëndrueshëm dhe nxitet kalimi nga transporti rrugor në transportin hekurudhor, duke promovuar një alternativë më eficiente për komunitetin dhe bizneset.
Relatori i çështjes, z. Petro Koci tha se ky projekt është një nga aktet më të rëndësishme të ringritjes së transportit hekurudhor të vendit tonë dhe ftoi kolegët për miratimin e këtij projektligji.
Por, për opozitën, më shumë se dyfishimi i vlerës për këtë projekt, lë hije të forta dyshimi për korrupsion
“Paqartësi. T’i diskutojnë komisionet e tjera, si ekonomia. diçka nuk shkon. kur nis një projet i tillë bëhet studim fizibiliteti. Ti s’mund të dyfishosh shumën. a ka studim të ri fizibiliteti mbi vlerën 77 mln? Nuk mendoja se bllokimi ka ardhur nga studimi sizmik. ka studim të mirë sizmik Shqipëria prej kohësh. fshihet diçka, një parregullsi e madhe. Unë s’e jap votën pro, do pres mendimin e komisioneve përkatëse’ u shpreh Tritan Shehu.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj ne parim, Nen për Nen dhe në tërësi.