Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të dërgojë për gjykim çështjen penale nr. 227/2, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.
Seanca paraprake u zhvillua më 12 dhjetor 2025, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. Vendimi u mor pasi gjykata shqyrtoi pretendimet e palëve dhe konstatoi se ekzistojnë prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat.
Laert Haxhiu akuzohet për një sërë veprash penale, duke përfshirë shkatërrim prone me eksploziv, mbajtje pa leje armësh dhe armësh shpërthyese, vrasje me paramendim, vjedhje me armë dhe sigurim të kushteve për vrasje, të kryera në formë bashkëpunimi si grup i strukturuar kriminal. Ngjarjet kanë ndodhur në periudha të ndryshme gjatë viteve 2021-2023 në qytete si Lushnjë, Tepelenë, Durrës dhe Peqin.
Kristi Bixheku dhe Artan Tafani akuzohen për pjesëmarrje në disa nga këto veprime penale, përfshirë shkatërrim prone me eksploziv, mbajtje pa leje armësh dhe sigurim të kushteve për vrasje, si dhe kërkesë për gjykim të shkurtuar.
Gjykata gjithashtu përcaktoi fashikullin e gjykimit, i cili përmban të gjitha aktet e hetimit paraprak, duke përfshirë mbi 13,000 faqe materiale të ndara në 45 volume.
Vendimi parashikon që fashikulli dhe dokumentacioni i gjykimit të depozitohen në sekretari të gjykatës brenda 10 ditëve.



