Një email i datës 25 maj 2012, i bërë publik së fundmi, tregon se Thorbjørn Jagland, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, vetëm një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri. Në këtë komunikim elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme.”
Sipas të dhënave kohore, email-i është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar një ditë më parë, më 24 maj 2012, fakt i konfirmuar nga axhenda institucionale dhe burime publike.
Vizita zyrtare në Tiranë
Arkivat zyrtare tregojnë se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Thorbjørn Jagland ka zhvilluar një sërë takimesh në nivel të lartë institucional. Ai është takuar me Edmond Haxhinaston, ministrin e Jashtëm të kohës, me Sali Berishën, kryeministër i Shqipërisë në atë periudhë, si dhe me Bamir Topin, President i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri dhe lidhej me proceset demokratike, shtetin e së drejtës dhe standardet e të drejtave të njeriut.
Nuk ka të dhëna publike që të tregojnë se axhenda zyrtare e vizitës ka përfshirë aktivitete jashtë kornizës institucionale apo takime private joformale.
Profili i Jagland dhe pesha institucionale
Thorbjørn Jagland ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës nga viti 2009 deri në vitin 2014. Këshilli i Europës është një institucion paneuropian me 47 shtete anëtare, i cili mbikëqyr respektimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Përveç këtij roli, Jagland ka qenë më parë kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Norvegjisë, duke pasur një karrierë të gjatë politike dhe diplomatike.
Përmbajtja dhe konteksti i email-it
Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi ndonjë takim privat, aktivitet specifik apo veprim konkret që lidhet me vizitën në Shqipëri. Komenti i bërë nga Jagland nuk shoqërohet me shpjegime shtesë dhe nuk ofron kontekst të qartë mbi kuptimin apo qëllimin e mesazhit.
Deri më tani, nuk ekzistojnë prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete apo marrëdhënie operative që do të dilnin përtej këtij komunikimi të vetëm elektronik.
Megjithatë, fakti që ky komunikim është zhvilluar me Jeffrey Epstein,një figurë që më vonë u përfshi në skandale të rënda ndërkombëtare dhe hetime penale –ka nxitur pikëpyetje mbi natyrën e kontakteve private mes tij dhe figurave të larta institucionale ndërkombëtare.
Edhe pse në kohën e dërgimit të email-it Epstein nuk ishte ende simboli global i skandaleve që do të pasonin më vonë, publikimi i këtyre komunikimeve sot rihap debatin mbi standardet e etikës, transparencën dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë në marrëdhëniet e tyre private.




