back to top
32.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaEmigrimi i heshtur: Shqiptarët po braktisin azilin, por jo ëndrrën për të...

Emigrimi i heshtur: Shqiptarët po braktisin azilin, por jo ëndrrën për të ikur/ Statistikat

Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian po zbehen ndjeshëm. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar vetëm 1,445 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë, një rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe niveli më i ulët që prej vitit 2021, kur kufizimet e pandemisë frenonin çdo lëvizje.

Në raport me vitin 2022 – kur u shënua kulmi i kërkesave për azil pas pandemisë – numri i aplikimeve është përgjysmuar, me një rënie drastike prej 51%.

Rënia e shifrave nuk nënkupton ndalim të emigracionit

Këto shifra, ndonëse në pamje të parë sugjerojnë një frenim të valës emigratore, tregojnë më shumë për ndryshimin e rrugës sesa ndalimin e fenomenit. Sot, gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin të largohen përmes kontratave të punës – veçanërisht drejt Gjermanisë – duke shmangur procedurat e stërgjata dhe shpesh të pasuksesshme të azilit.

Në këtë kuptim, azilkërkuesit janë thjesht “maja e ajsbergut” e një tendence të qëndrueshme emigrimi ekonomik, që ka nisur valën e saj të re që pas vitit 2016 dhe që vijon me intensitet të lartë, pavarësisht rënies së aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare.

Tendenca në BE: Rënie e përgjithshme e vendimeve pozitive për azil

Në tërësi, Bashkimi Europian regjistroi 57,925 aplikime të reja për azil gjatë marsit 2025 dhe 7,430 aplikime përsëritëse, me një rritje të lehtë krahasuar me marsin e kaluar, por me një rënie në raport me muajin shkurt të këtij viti.

Gjatë tremujorit të parë të vitit, u morën 198,570 vendime në shkallë të parë, prej të cilave vetëm 33% ishin pozitive. Në krahasim me fundin e vitit 2024, vendimet pozitive kanë rënë me 33%, çka tregon një shtrëngim të mëtejshëm të politikave të migracionit në BE.

Kush aplikon më shumë dhe ku?

Venezuelianët, afganët dhe bangladeshasit përbëjnë grupin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil. Nga ana tjetër, Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania vijojnë të jenë vendet pritëse më të mëdha, duke përthithur 78% të të gjitha aplikimeve për herë të parë në BE.

Shqipëria, ndonëse më pak e dukshme në shifra, vijon të jetë ndër vendburimet e qëndrueshme të emigrantëve ekonomikë.

Të miturit, fytyra më e ndjeshme e emigrimit

Në mars të këtij viti, 1,595 të mitur të pashoqëruar kërkuan azil për herë të parë në vendet e BE-së. Vendet me më shumë raste ishin Gjermania, Spanja dhe Greqia. Ky është një tjetër tregues i thellimit të krizës sociale dhe ekonomike në vendet e origjinës, ku prindërit shpesh i nisin fëmijët vetëm, në kërkim të një jete më të mirë.

Shqiptarët po ndryshojnë rrugën, jo qëllimin

Rënia e kërkesave për azil nga shqiptarët nuk duhet lexuar si një rikthim i besimit në mundësitë brenda vendit. Përkundrazi, është shenjë se qytetarët po kërkojnë mënyra më ligjore, më të qëndrueshme dhe më të sigurta për të emigruar – kontratat e punës, programet e trajnimit, apo transferimet familjare.

Dëshira për të emigruar vijon të jetë e lartë, veçanërisht në kushtet e një ekonomie të brishtë, mungesës së perspektivës për të rinjtë dhe dëshirës për jetë dinjitoze. Ndaj, shifrat në rënie nuk duhet të qetësojnë askënd – emigracioni është ende një plagë e hapur në shoqërinë shqiptare, por që po vesh kostume të reja. Dhe në shumë raste, ato janë më të vështira për t’u monitoruar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat