Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i marrë i pandehur për veprat penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe krijimit të grupit kriminal, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme për çështjen e koncesionit të sterilizimit, ku gjatë seancës ka folur edhe për denoncuesin e kësaj çështjeje, Endri Shabani, aktualisht Avokat i Popullit.
Me përfaqësuesit e SPAK-ut përballë, Beqaj deklaroi se Shabani duhet të jetë ndër dëshmitarët e parë që do të thirren në proces, duke argumentuar se ai ka bërë deklarime publike dhe ka paraqitur kallëzim penal, ndonëse sipas Beqajt ishte në dijeni se hetimi për këtë çështje ishte pushuar më herët.
Gjatë fjalës së tij, ish-ministri dërgoi edhe një mesazh politik për deputetët që votuan Endri Shabanin në detyrën e Avokatit të Popullit.
“Deputetët që e zgjodhën, e dinë vetë pse e bënë. Unë personalisht me të do të përballem këtu në proces. Ajo që më habiti nuk ishte vota, por puthja para atyre deputetëve”, deklaroi Beqaj në sallën e gjyqit.
Deklaratat e tij u ndërprenë nga trupa gjykuese, e cila vlerësoi se komentet e të pandehurit nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e procesit dhe nuk kontribuonin në shqyrtimin gjyqësor të çështjes.
Ilir Beqaj po gjykohet veçmas nga të pandehurit e tjerë të dosjes së sterilizimit. Tetë persona të përfshirë në këtë çështje, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, janë gjykuar me procedurë të shkurtuar.
Ndërkohë, procesi ndaj Beqajt po zhvillohet me gjykim të zakonshëm, por ka hasur në vonesa për shkak të kërkesës së tij për të lexuar fashikujt e dosjes hetimore.
Për çështjen e sterilizimit, Beqaj ishte lënë më herët nën masën e detyrimit për paraqitje, por më pas ai përfundoi në arrest, pasi u mor i pandehur edhe në një dosje të dytë nga SPAK, atë të SASPAC, ku akuzohet për shkelje të tjera të rënda.
Procesi pritet të vijojë me seanca të tjera, ndërsa SPAK do të paraqesë provat dhe listën e dëshmitarëve në një nga dosjet më të bujshme të hetuara ndaj ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë.



