Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, mbajti një fjalë të fortë gjatë seancës plenare të sotme, duke vënë theksin tek menaxhimi i buxhetit të shtetit dhe koncesionet. Ai theksoi se çdo zyrtar që nuk shpenzon paratë e alokuara sipas ligjit, qoftë ministër apo në çfarëdo poste tjetër, duhet të largohet nga detyra.
“Në këtë sallë ka deputetë që dinë ta lexojnë buxhetin dhe ka që nuk dinë. Të dyja palët kanë zhurmuar fort dhe kanë gënjyer shumë. Tre koncesionet që përfundojnë kontratën këtë vit duhet të kthehen në shërbime publike”, deklaroi Braçe.
Ai sqaroi se buxheti i vitit 2026 mban premtimet e zgjedhjeve të fundit dhe do të ndikojë drejtpërdrejt tek pensionet dhe pagat. Paga minimale do të arrijë 50 mijë lekë, ndërsa çdo të ardhur shtesë në skemën e pensioneve duhet të përdoret vetëm për përmirësimin e politikës pensionale.
Braçe paralajmëroi gjithashtu rishikimin e skemës së ilaçeve, e cila sipas tij është nën presionin e personave që keqpërdorin fondet publike: “Skema e ilaçeve është nën agresionin e hajdutëve, duhet të rishihet për këdo që korrupton dhe grabit skemën”, tha ai.
Sipas deputetit, risku kryesor në buxhet vjen nga mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore, ndaj qeveria duhet të garantojë që fondet të përdoren plotësisht dhe në mënyrë efektive. Ai përmendi edhe paketën fiskale, duke theksuar se TVSH-ja e bujqësisë ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.
“Kush nuk shpenzon paratë e buxhetit të shtetit dhe nuk përmbush detyrimet, duhet të largohet”, përfundoi Braçe, duke përcjellë mesazhin e tij të qartë për administratën dhe institucionet publike.



