Nuk kanë të ndalur kryebashkiakët socialist në SPAK.
Sot ka qenë radha e Erion Isait, kryebashkiakut të Kolonjës, që është marrë një orë në pyetje nga hetuesit e SPAK-ut.
Pas marrjes në pyetje Isai ka thënë për mediat, se ishte thirrur si person për një çështje që kishte dijeni.
Për më tepër Isait i kishte bërë përshtypje humori i hetuesve, siç deklaroi ai dhe ndër të tjera tha se i ishte dukur këndshëm në SPAK.
“Dhashë disa shpjegime shtesë nga 2023, nuk e di nëse duhet të them çështjen që isha, dhashë disa shpjegime shtesë dhe kam qenë person deklarues. Është një ngjarje e vjetër, nuk ka lidhje me tenderat e bashkisë. Kam qenë i thirrur si person në dijeni për një ngjarje. Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, ka lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë, por si institucion që bashkëpunon dhe ka dijeni. I takon prokurorisë se kë po heton, unë jam pyetur si person që ka dijeni. Hetuesit ishin në humor, pse të mos jenë në humor. Ishte hera e parë në Prokurori, ishte këndshëm”, tha Isai pas daljes nga SPAK.