Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke mohuar kategorikisht pretendimin se është vetëpërjashtuar nga partia.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji thekson se ai ka qenë dhe mbetet pjesë e Partisë Demokratike, duke kujtuar kontributin e tij ndër vite dhe sakrificat personale, përfshirë edhe, sipas tij, burgimin politik.
Ai thekson se debati i vërtetë nuk duhet të fokusohet te përjashtimet, por te mungesa e garës brenda partisë dhe proceset demokratike.
“Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike. Problemi nuk është kush përjashtohet, por pse nuk lejohet gara,” shprehet Salianji.
Ish-deputeti ngre një sërë pyetjesh për drejtimin e partisë, duke kërkuar sqarime mbi zhvillimin e garës së brendshme, votën e lirë për anëtarët dhe mënyrën se si synohet të arrihet fitorja në zgjedhje.
Ai akuzon indirekt drejtimin aktual të PD-së se shmang garën dhe përdor, sipas tij, narrativa si “vetëpërjashtimi” për të justifikuar mungesën e proceseve të hapura.
“Unë kërkoj vetëm një gjë. Rregulla dhe votë. Këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët,” thekson Salianji, duke shtuar se pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën nga gara.
Reagimi i tij vjen në vijim të përplasjeve publike me Berishën, duke thelluar ndasitë brenda Partisë Demokratike për çështje që lidhen me drejtimin dhe funksionimin e saj të brendshëm.



