Kryeministri Edi Rama ka reaguar në mënyrë të detajuar në episodin më të fundit të podkastit të tij “Flasim”, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar dekretin e presidentit dhe vendimin e qeverisë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Vendimi i Kushtetueses ka shkaktuar debat të gjerë në arenën politike dhe publike, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet midis institucioneve dhe pushtetit vendor.
Në komentet e tij, Rama përsëriti qëndrimin se pas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese duhet të lejojë kryebashkiakun Veliaj të vijojë detyrën, duke u gjykuar në gjendje të lirë. Sipas tij, çdo vonesë apo pengesë e mëtejshme përbën një dëm të drejtpërdrejtë për funksionimin normal të kryeqytetit.
“Dua të theksoj se çfarëdo është thënë, nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit nga qeveria si rrjedhojë e vendimit të marrë nga PS në këshillin bashkiak. E vërteta është shumë e thjeshtë; Tirana duhet drejtuar, nuk mund të jetë një trup pa kokë. Kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtojë që kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim. Ky është një skandal, që qytetarët e paguajnë një kosto të padrejtë”, tha Rama.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se vendimi i qeverisë dhe qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj Erion Veliajt kanë motive politike apo prapaskena të fshehta. Sipas tij, qëllimi i vetëm ka qenë garantimi i stabilitetit institucional dhe funksionimi normal i administratës lokale të Tiranës.
“Çfarë është interpretuar si përplasje apo ndarje brenda Partisë Socialiste është thjesht një fabrikim politik. Nuk ka pasur asnjë motiv personal apo partiak. Ka pasur vetëm një detyrim ndaj qytetit dhe institucioneve të shtetit. Tirana nuk mund të mbetet peng i interpretimeve të çastit apo i luftës për pushtet”, u shpreh Rama gjatë podkastit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi dekretin e presidentit dhe vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt, është pritur me komente të ndryshme nga spektri politik. Ndërsa opozita e ka përshëndetur si një fitore të rendit kushtetues dhe si provë të “shkeljeve të qeverisë në raport me pushtetin vendor”, përfaqësues të mazhorancës kanë deklaruar se vendimi është i respektueshëm, por se ai krijon një situatë të paprecedent për administrimin e kryeqytetit.
Burime nga brenda PS kanë lënë të kuptohet se mazhoranca do të ndjekë me kujdes rrugët institucionale për zbatimin e vendimit, duke mos përjashtuar as mundësinë e ndryshimeve ligjore që mund të qartësojnë kompetencat dhe procedurat për raste të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë, në opinionin publik po zhvillohet një debat i gjerë mbi ndikimin e këtij vendimi në balancat politike lokale, por edhe mbi raportin mes pushtetit qëndror dhe atij vendor. Ekspertë të së drejtës kushtetuese theksojnë se ky është një nga rastet e rralla ku Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë për të korrigjuar një veprim të njëkohshëm të ekzekutivit dhe presidentit, duke vendosur një standard të ri për ndarjen e pushteteve.
Në fund të reagimit të tij, Rama theksoi se për të, çështja nuk është “as politike, as personale”, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës.
“Në këtë qytet ka punë që nuk presin, ka projekte që duhen çuar përpara. Dhe për këtë duhet përgjegjësi, jo kaos institucional”, përfundoi ai.



