Një temë që ka ndezur debatin publik së fundmi lidhet me të ashtuquajturat “takime speciale” brenda ambienteve të burgjeve, ku sipas raportimeve mediatike, modele të njohura që ushtrojnë edhe profesionin e eskortës, kanë pasur akses për të takuar të burgosur të ndryshëm.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi ndaj situatës, duke hedhur sarkazëm mbi reagimin publik që po i kushtohet më shumë jetës intime të të burgosurve sesa arsyes pse ata ndodhen pas hekurave.
“Të izoluarit nëpër burgje e kanë drejtën e takimeve speciale me gratë e tyre. Deri këtu s’ka asgjë për të diskutuar. Çështja është kur në burg hyjnë dashnoret, ose eskortat. A kanë të drejtë të burgosurit të kenë dashnore?! Po ata që s’kanë gra si t’ia bëjnë? Perlë diskutimi është ky. Halli është pse kanë dashnore… Super hall për t’u diskutuar është! Prandaj është e bukur vera, se ja kemi me ç’të merremi”, shkruan Manjani në rrjete sociale.
Por ky diskutim ka marrë një ton më serioz nga avokati penalist, Saimir Visha, i cili ngre shqetësimin për pasojat shëndetësore që mund të sjellin këto takime në sistemin penitenciar.
“Po qe ka plas SIDA në burgje dhe ka eskorta që bëjnë seks live pa masa mbrojtëse”, është shprehur avokati Visha, duke lënë të kuptohet se mungesa e kontrollit dhe e masave mbrojtëse mund të përkthehet në një krizë të heshtur brenda sistemit të burgjeve.
Ky debat ka hapur diskutime të mëdha mbi nevojën për rregullim më të mirë të protokolleve të takimeve intime në burgje, mbikëqyrjen institucionale dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo Ministria e Drejtësisë për këtë çështje që ka marrë vëmendje në opinionin publik.