Rënia e vlerës së euros dhe dollarit në tregun valutor shqiptar ka dhënë një efekt pozitiv në borxhin publik të vendit.
Sipas raportit më të fundit të Ministrisë së Financave, në fund të muajit qershor borxhi publik zbriti në 54.02% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 54.21% që ishte në fund të vitit të kaluar.
Në terma absolutë, borxhi publik rezulton 14.1 miliardë euro, me një ulje të lehtë nga 14.2 miliardë euro që ishte në mars.
Borxhi i jashtëm ka pësuar rënie më të ndjeshme, nga 6.5 miliardë euro në mars në 6.2 miliardë euro në qershor.
Ndërsa borxhi i brendshëm ka shënuar një rritje të lehtë, nga 7.7 miliardë euro në 7.8 miliardë euro.
Ekspertët theksojnë se zhvlerësimi i euros ka bërë më të lirë borxhin e jashtëm, pasi këstet e shlyerjes kanë qenë më të ulëta. Një ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e borxhit ka pasur edhe shlyerja e huave të kaluara, sidomos me anë të eurobondit të emetuar në fillim të vitit.
Borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore dhe projekte madhore në sektorin e transportit, energjisë elektrike dhe ujësjellës-kanalizimeve.