Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar mbi procesin e integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk mund të matet thjesht me numrin e ligjeve të miratuara në Kuvend, por me standardet reale që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Sipas Tabakut, integrimi europian përfshin arsim cilësor, shëndetësi më të mirë, siguri ushqimore, ekonomi funksionale dhe infrastrukturë sipas standardeve të BE-së, fusha në të cilat Shqipëria, sipas saj, mbetet ende larg realizimit.
Ajo theksoi se edhe vetë qeveria ka pranuar këtë realitet, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Edi Rama për të kërkuar një periudhë ndërmjetëse për të plotësuar kriteret e BE-së për sigurinë ushqimore.
“Vetëm për sigurinë ushqimore janë kërkuar të paktën 5 vite shtesë për përmbushjen e standardeve. Për infrastrukturën nevojiten rreth 15 vite investime, ndërsa për ekonominë një dekadë e plotë,” tha Tabaku.
Deputetja nënvizoi se këto kërkesa tregojnë qartë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim real dhe se problemet nuk janë të reja. “Janë çështje të njohura prej vitesh, por të injoruara sistematikisht nga qeveria gjatë 12 viteve të fundit,” shtoi ajo.
Tabaku theksoi gjithashtu se qeveria ka kërkuar rreth 15 periudha ndërmjetëse nga Brukseli, një tregues i qartë, sipas saj, i dështimit për të ndërtuar standardet europiane brenda vendit.
“Në fund të ditës, Europa nuk është në letra dhe raporte propagandistike. Europa është në cilësi dhe standarde. Fatkeqësisht, këto standarde ende nuk i kemi arritur dhe me këtë ritëm, rrezikojmë të mos i arrijmë as në vitet që vijnë,” përfundoi Tabaku.
Sipas saj, integrimi europian nuk është vetëm miratimi i ligjeve, por përmbushja e kritereve reale që Shqipëria sot nuk i plotëson.



