back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 15 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaEurostat: Shqipëria shënon rritjen më të shpejtë të popullsisë së moshuar në...

Eurostat: Shqipëria shënon rritjen më të shpejtë të popullsisë së moshuar në rajon

Shqipëria po përballet me një nga ritmet më të shpejta të plakjes në Europë, edhe pse mosha mesatare e popullsisë e vendit na rendit ende mes vendeve më të reja. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se raporti i varësisë së të moshuarve numri i personave mbi 65 vjeç në raport me popullsinë 15-64 vjeç është rritur nga 18.2% në vitin 2015 në 33.3% në vitin 2025.

Kjo përfaqëson një rritje prej 15.1 pikë përqindje në një dekadë, niveli më i lartë mes vendeve të krahasuara. Krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, e cila është rritur nga 29.0% në 34.5% (+5.5 pikë përqindje), Shqipëria jo vetëm që ka shënuar një ritëm gati trefish më të shpejtë, por në vitin 2025 i afrohet ndjeshëm nivelit mesatar të BE-së.

Në rajon, Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje prej 10.7 pikësh (nga 18.0% në 28.7%), Serbia 8.7 pikë (36.2%), ndërsa Mali i Zi 6.4 pikë (26.6%). Edhe pse Serbia mbetet me nivel më të lartë se Shqipëria, ritmi i plakjes në vendin tonë është dukshëm më i shpejtë.

Në Europë, pas Shqipërisë, rritjen më të fortë e ka shënuar Moldavia (+14.1 pikë), e ndjekur nga Polonia (+10.5) dhe Maqedonia e Veriut (+10.7). Ndërkohë, vende si Luksemburgu (+1.5), Suedia (+2.3) dhe Austria (+3.5) kanë pasur rritje më të moderuar.

Në vitin 2025, vendet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë Italia (39.0%), Bullgaria (38.7%), Portugalia (38.6%) dhe Finlanda (38.1%). Shqipëria me 33.3% ndodhet në nivel të ndërmjetëm, por me një trajektore shumë më të pjerrët se shumica e vendeve të BE-së.

Analistët shpjegojnë se kjo ndryshim i shpejtë demografik lidhet me emigracionin e lartë të popullsisë në moshë pune dhe me rënien e lindshmërisë, siç raportuan edhe shifrat e INSTAT. Praktikisht, çdo 100 persona në moshë pune në Shqipëri mbajnë mbi 33 të moshuar, ndërsa një dekadë më parë ky tregues ishte vetëm 18.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat