back to top
32.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetDebat në Komisionin Evropian: Tabaku akuzon për fasadë, Kodheli i përgjigjet

Debat në Komisionin Evropian: Tabaku akuzon për fasadë, Kodheli i përgjigjet

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Evropiane, vëmendja ishte e përqendruar në shqyrtimin e projekt-pozicionit negociues për grupkapitullin 4: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, një ndër kapitujt më strategjikë të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, që përfshin çështje thelbësore si mjedisi, energjia dhe infrastruktura.

Kërkesa për paraqitjen e këtij pozicioni u bë dy ditë më parë nga presidenca polake e BE-së, me synimin që dokumenti të dorëzohet në konferencën e radhës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

Kritikat e opozitës: Rruga drejt BE-së “nuk mund të jetë fasadë”

Kryetarja e Komisionit dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shfrytëzoi këtë mbledhje për të ngritur shqetësime për standardet demokratike në vend, veçanërisht në dritën e zgjedhjeve të 11 majit. Sipas saj, është e papranueshme që qeveria të përpiqet të projektojë një imazh evropian në Bruksel, ndërkohë që në Tiranë injorohen problemet thelbësore të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Po diskutojmë për grupkapitullin 4 që është shumë i rëndësishëm për mjedisin, energjinë dhe ndërlidhjen, por nuk mund të injorojmë faktin që sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor me probleme të thella. Ky është kapitulli themelor, ai i zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit. Dhe për fat të keq, testi demokratik dështoi.

Ne nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Nuk mund të firmosim kapituj në letër kur po mbyllim sytë përballë deformimit të vullnetit të qytetarëve,” u shpreh Tabaku.

Reagimi i mazhorancës: Komisioni nuk është vend për polemika politike

Në mbrojtje të pozicionit të qeverisë, deputetja socialiste Mimi Kodheli reagoi duke theksuar se ky komision ka një mandat teknik dhe funksional, dhe se shqetësimet politike duhet të adresohen në forume të tjera.

“Unë gjykoj, se me respektin për kolegët prezent që mbledhja e Komisionit të Çështjeve evropiane është mbledhje ku qeveria vjen me disa letra dhe anëtarët diskutojnë, propozojnë dhe hartojnë ndryshimet respektive që në fund garantohen.

Kemi mjaftueshëm tribuna për të bërë komentet tona politike jashtë këtij komisioni, ku mund të shpalosim opinionet tona politike, që nga zgjedhjet dhe rezultati i tyre spektakolar. Për këtë më duhet të falënderoj, meqë jemi duke diskutuar politikisht, çdo qytetar të republikës që kanë votuar bindshëm forcën që drejton sot vendin. Ka një diskutim të madh që bëhet mbi kodin zgjedhor dhe mënyrën se si qytetarët e shprehin vullnetin e tyre votën demokratike”, tha Kodheli.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat