Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e forta ndaj ish kreut të SPAK, Altin Dumani, pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Berisha deklaroi se Dumani zotëron pasuri të fshehura, duke përmendur rreth katër apartamente, ndërsa e akuzoi për mashtrim në deklarimin e pasurisë. Sipas tij, kreu i SPAK ka deklaruar se jeton me qira në banesën e vjehrrit, çka sipas Berishës nuk përputhet me realitetin.
“Kreu i SPAK ka pasuri të fshehura. Kam prova të plota. Asnjë rrogtar i këtij shteti, përfshirë presidentin apo kryeministrin, nuk mund të ketë katër apartamente me rrogën e shtetit. Ky deklaron se jeton me qira te vjehrri, kjo është mashtrim,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se nëse pasuria do të ishte deklaruar si dhuratë familjare, kjo do të ishte e pranueshme, por sipas tij apartamenti është ndërtuar nga vetë Dumani, i cili figuron si aksioner.
Në deklaratën e tij, Berisha përfshiu edhe gjyqtaren Irena Gjoka, duke i cilësuar të dy si pjesë të “galerisë së turpit të drejtësisë shqiptare”. Sipas tij, vendime të caktuara kanë cenuar rëndë sistemin e drejtësisë dhe Kushtetutën.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu SPAK-un për arrestimin e tij në një vit elektoral, pa fakte penale dhe pa u marrë më parë në pyetje.
“Altin Dumani do të mbahet mend si armik i egër i opozitës. Arrestimi i liderit të partisë kryesore opozitare pa asnjë provë është bilanci më i zi i mundshëm dhe shkelje e hapur e Kushtetutës,” tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se në vijim do të publikojë detaje të tjera lidhur me atë që ai e quajti “bilanci i Altin Dumanit”.



