back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“FBI-ja” shqiptare pa drejtues/ Adnan Xholi tregon se çfarë po ndodh me...

“FBI-ja” shqiptare pa drejtues/ Adnan Xholi tregon se çfarë po ndodh me procesin

Prokurori i posaçëm, Adnan Xholi, ka dhënë detaje gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve për procedurën që po ndiqet për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e njohur si “FBI-ja shqiptare”.

Xholi tha se procedura është në fazën përfundimtare dhe aktualisht shtatë kandidatë janë ende në garë për postin e lartë. Ai theksoi se procesi po zhvillohet me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe duke përfshirë asistencën e partnerëve ndërkombëtarë nga SHBA dhe BE.

“Në muajin prill 2025 është ngritur komisioni i përzgjedhjes, është miratuar rregullorja për procedurat e zgjedhjes dhe ish-drejtori i BKH-së është pyetur për interesin e riemërimit. Meqë ai nuk e shprehu interesin, më 22 maj 2025 u bë shpallja publike. Aplikuan 13 kandidatë, nga të cilët 7 janë kualifikuar. Procesi ka vijuar me testime fizike, me shkrim, arsyetim ligjor, intervista gojore dhe test poligrafi,” – tha Xholi.

Ai sqaroi gjithashtu se funksionimi i BKH-së nuk është ndalur, pasi zëvendësdrejtori ushtron funksionet e drejtorit në mungesë të tij, duke garantuar vazhdimësinë e institucionit.

“Funksionimi i BKH-së nuk ka lidhje me vakancën aktuale. Ka zëvendësdrejtor, post administrativ që ushtron funksionet e drejtuesit në mungesë të drejtorit. Nuk është krijuar asnjë pengesë deri tani,” – shtoi Xholi.

Dumani kërkon ndryshime ligjore

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ndërhyri në diskutim duke nënvizuar nevojën për ndryshime ligjore që të rregullojnë më mirë rastet kur krijohen vakanca në krye të BKH-së:

“Ligji nuk ka parashikuar qartë një datë se kur duhet të fillojë procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri. Ky ishte një proces për herë të parë dhe është e rëndësishme të parashikohet ligjërisht për të shmangur çdo vakum institucional. Aktualisht, BKH vazhdon punën normalisht nën drejtimin e përkohshëm të zëvendësdrejtorit,” – tha Dumani.

Ai gjithashtu vlerësoi punën e Xholit dhe të komisionit të përzgjedhjes, duke theksuar se procesi është kryer me korrektësi, transparencë dhe me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë.

“Shpresojmë që shumë shpejt të kemi drejtorin e ri të Byrosë, pa krijuar asnjë lloj anomalie. Këtë e them me siguri,” – përfundoi Dumani.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat