Blegtorët shqiptarë kanë dalë në protestë përpara Ministria e Bujqësisë, duke kundërshtuar skemën kombëtare të mbështetjes për vitin 2026 dhe duke kërkuar më shumë subvencione për sektorin.
Të organizuar nën shoqatën “Blegtorët Prodhues të Qumështit”, ata shfaqën pankarta me thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit” dhe “Bojkotoni firmat serbe”, duke ngritur shqetësime për konkurrencën dhe mungesën e mbështetjes nga shteti.
Protestuesit shprehen se skema e re nuk përmbush pritshmëritë dhe nuk reflekton diskutimet e mëparshme me autoritetet. Sipas tyre, kostot e larta për karburantin, ushqimin e bagëtive dhe shpenzimet bazë po e bëjnë të vështirë mbijetesën në treg.
Një nga kërkesat kryesore është rritja e subvencioneve, të cilat sipas blegtorëve janë disa herë më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Ata kërkojnë gjithashtu naftë pa taksa për fermerët ose lehtësim të barrës fiskale mbi karburantet.
Blegtorët ngrenë shqetësime edhe për informalitetin në treg dhe nivelin e pabarabartë të TVSH-së, që sipas tyre krijon konkurrencë të padrejtë. Një tjetër kërkesë është krijimi i një laboratori për sigurinë ushqimore dhe ngritja e një bordi për produktet bazë të shportës.
Protesta vjen në një kohë kur sektori po përballet me vështirësi të shtuara për shkak të rritjes së çmimit të naftës, ndërsa fermerët paralajmërojnë se pa ndërhyrje të menjëhershme, situata mund të përkeqësohet më tej.
Aktualisht, përfaqësuesit e blegtorëve janë në pritje të zhvillimit të një takimi me drejtuesit e Ministria e Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave për të diskutuar kërkesat e tyre.



