Thatësira e zgjatur këtë verë ka ndikuar ndjeshëm në prodhimin e misrit në Myzeqe, duke sjellë rendiment të ulët në arat e fermerëve. Prej disa ditësh ka nisur korrja e misrit dhe bujqit raportojnë humbje të konsiderueshme, sidomos në zonat ku mungon vaditja.
Në fshatrat e bashkisë Patos, ku furnizimi me ujë për vaditje varet vetëm nga rezervuari i Kurjanit në Rroskovec, situata është më e vështira. Rezervuari u tha për shkak të temperaturave ekstreme, duke lënë pa ujë tokat bujqësore.
“Kam mbjellë 8 hektarë me misër, por rendimenti është i ulët. Këtë vit kemi dalë me humbje,” thotë Soni Semanjaku, bujk në fshatin Sheqishtë.
Një tjetër fermer nga fshati Belinë shpjegon se ka shmangur mbjelljen e misrit për shkak të kërkesës së lartë për ujë dhe është orientuar drejt grurit dhe elbit, kultura më rezistente ndaj thatësirës.
Probleme të përhapura në të gjithë qarkun
Pasojat e mungesës së ujit janë ndjerë pothuajse në të gjithë qarkun e Fierit, megjithëse në disa zona furnizimi me vaditje mbulon deri në 80% të tokave bujqësore. Lumi Seman, ndonëse kalon pranë tokave, nuk mund të përdoret si burim vaditjeje për shkak të disnivelit të lartë mes shtratit të tij dhe arave bujqësore.
Drejtoria e Bujqësisë ende nuk ka dalë me një parashikim për prodhimin e këtij sezoni, por pritet që ai të jetë dukshëm më i ulët se vitin e kaluar.
Çmimi më i lartë, kompensim i pjesshëm për humbjet
Megjithëse rendimenti është i dobët, çmimi i misrit në treg këtë vit ka ardhur më i lartë, çka pritet të kompensojë disi humbjet e fermerëve.
Fermerët theksojnë se pa një sistem të qëndrueshëm vaditjeje, bujqësia në Myzeqe do të mbetet e pasigurt dhe e ekspozuar ndaj kushteve ekstreme të motit.