Ka nisur sot tryeza e Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, ku po diskutohet mbi financimin e partive politike dhe masat për rritjen e transparencës dhe kontrollit të burimeve financiare.
Dakordësia mes mazhorancës dhe opozitës
Damian Gjiknuri nga PS, deklaroi se gjatë tryezës është rënë dakord që mazhoranca dhe opozita të dalin me një draft të përbashkët ligjor, me qëllim shmangien e konflikteve dhe kundërshtive të mëtejshme.
“Me opozitën kemi vendosur të dalim me një draft të përbashkët, që ky ligj të mos ketë inate partizane, por rregulla të gjithëpranuara. Shëndeti financiar i partive është një nga gjërat më të rëndësishme në një demokraci. Sa më të konsoliduara partitë, aq më e konsoliduar demokracia. Duhet transparencë për burimet financiare dhe të parandalojmë financime nga interesa biznesi të lidhura me pushtetin, interesa të shteteve të tjera apo nga krimi,” tha Gjiknuri.
Transparenca, thelbësore për shmangien e korrupsionit
Bashkëkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, theksoi rëndësinë e transparencës së financimeve të partive politike si një mjet për të parandaluar korrupsionin dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm apo kriminalë.
“Ndryshimet janë bërë në kohë të ndara. Dua të theksoj, pa hyrë në detaje, se funksionimi i partive politike është çështje thelbësore dhe kushtetuese, po aq sa transparenca e financimeve. Partitë janë organizma që shërbejnë për pluralizmin demokratik. Kjo është kërkesë kushtetuese dhe besoj se të gjithë ndajmë mendimin se transparenca është një formë e mirë për të shmangur korrupsionin dhe influencat e faktorëve kriminalë apo të huaj,” u shpreh Bylykbashi.
Draft i përbashkët dhe pritshmëritë
Përmes këtij procesi, pritet që ligji për financimin e partive politike të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë, duke garantuar që të gjitha partitë të jenë të barabarta në raport me rregullat financiare, ndërsa qytetarët të kenë siguri mbi burimet financiare që mbështesin forcimin e demokracisë.
Komisioni i Posaçëm pritet të vazhdojë diskutimet në ditët në vijim dhe të dalë me një draft të unifikuar që do të kalojë më pas në procedurë parlamentare për miratim.



