Aleati i Putinit dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar mbi marrëveshjen e burimeve natyrore.
“Trump më në fund e ka detyruar regjimin e Kievit të paguajë për ndihmën amerikane me minerale. Tani furnizimet ushtarake do të duhet të paguhen me pasurinë kombëtare të një vendi në zhdukje. Dhe Senati i SHBA-së, i udhëhequr nga republikanët, po përgatitet të vendosë një raund tjetër ‘sanksionesh shkatërruese’ kundër nesh. Le të shohim se si do të përgjigjet administrata e re.Vlerësimet e Trump kanë rënë dhe ‘shteti i thellë’ po bën rezistencë të ashpër.” tha ai.
Pas një beteje jo të lehtë negociuese, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë rënë dakord të krijojnë një fond rindërtimi që do t’i japë gjithashtu Shteteve të Bashkuara qasje në burimet natyrore ukrainase. Të dyja palët e konfirmuan marrëveshjen në Uashington.
SHBA sigurojnë me këtë qasje të privilegjuar në burimet e Ukrainës, duke përfshirë mineralet e rralla, të cilat janë të rëndësishme për teknologjinë e avancuar sot dhe të rëndësishme nga ana strategjike. Bessent nuk ishte shumë specifik për përmbajtjen e marrëveshjes, por u shpreh i kënaqur.
Marrëveshja u përfundua në një fazë vendimtare të negociatave për një marrëveshje paqeje: Presidenti i SHBA, Donald Trump kërkon fund të shpejtë të luftës në Ukrainë dhe së fundmi ka shprehur zhgënjimin për mungesën e progresit. Më parë republikani Trump ushtroi presion masiv mbi Ukrainën lidhur me çështjen e burimeve natyrore. Ai i konsideron fitimet e mundshme nga nxjerrja e burimeve si kompensim për mbështetjen financiare dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Pas marrëveshjes së arritur ndërkohë, Trump theksoi se SHBA do të rimarrë shumë më tepër sesa ka investuar deri më tani. Ai përsëriti qëndrimin e tij se një prani ekonomike e SHBA në Ukrainë përfaqëson gjithashtu një garanci sigurie për vendin.