Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku u diskutua strategjia e opozitës për javën e ardhshme në Kuvend, nuk munguan notat e kritikës brenda kampit blu.
Numri dy i PD-së, Flamur Noka, është shprehur me tone të ashpra ndaj disa deputetëve të opozitës, duke theksuar se roli i tyre në Kuvend është për përballje dhe rezistencë, jo për shfaqje luksi.
“Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi e Taulant Balla ndryshe tani. Ne jemi në Kuvend për betejë, jo për nënshtrim,” – mësohet të ketë deklaruar Noka gjatë mbledhjes.
Duke vijuar më tej, ai ka theksuar se disa qëndrime brenda grupit nuk përputhen me frymën opozitare që kërkon PD-ja.
“Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë,” – ka shtuar Noka.
Deputeti demokrat theksoi se Partia Demokratike nuk kërkon asgjë më shumë sesa ushtrimin e të drejtave që i takojnë opozitës dhe se çdo tentativë për ta “zbutur” opozitarizmin është e papranueshme.
“Të drejtat tona do t’i mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, le të vazhdojë, por kjo s’ka lidhje me opozitarizmin,” – përfundoi ai.



