Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka nisur një vizitë tre-ditore në Kinë, e para e një shefi qeverie britanik që prej vitit 2018 që viziton Pekinin. Udhëtimi i tij vjen me një delegacion prej rreth 60 biznesmenësh dhe liderësh kulturorë dhe synon forcimin e bashkëpunimit në fushat e tregtisë, investimeve dhe sigurisë kombëtare.
Gjatë qëndrimit të tij, Starmer pritet të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, me të cilin do të diskutojë mundësi për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh. Kryeministri britanik theksoi rëndësinë e vizitës, duke e cilësuar si një hap historik pas tetë vitesh mungesë vizitash nga kryeministrat britanikë në Kinë.
“Thonë që 8 ditë janë shumë në politikë; provoni 8 vite, pasi aq kanë kaluar që prej herës së fundit kur një kryeministër britanik shkeli tokën kineze. Ju po shkruani historinë dhe jeni pjesë e ndryshimit që do të sjellim,” deklaroi Starmer, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve dhe angazhimit ekonomik me Pekinin.
Kryeministri britanik shtoi se vizita ka për qëllim sjelljen e përfitimeve konkrete për qytetarët britanikë, duke theksuar se Bashkimi i mundësive ekonomike dhe politikave strategjike është thelbësor për interesin kombëtar. Ai gjithashtu konfirmoi se çështjet e të drejtave të njeriut do të jenë pjesë e dialogut, pa u dhënë detaje të mëtejshme.
Vizita e Starmer në Kinë vjen pas një periudhe tensioni në marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Pekinit, lidhur me politikat e Kinës ndaj Hong Kongut, mbështetjen e Moskës në luftën e Ukrainës dhe shqetësimet për sigurinë dhe spiunazhin kinez ndaj politikanëve dhe zyrtarëve britanikë.
Pekini, nga ana e tij, shikon këtë vizitë si një mundësi për të ripërtërirë imazhin e tij si partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare, duke përfituar nga mosmarrëveshjet mes fuqive perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara. Pas Kinës, kryeministri Starmer do të udhëtojë për në Japoni, ku pritet të thellojë marrëdhëniet bilaterale dhe të diskutojë bashkëpunimin ekonomik dhe sigurinë rajonale.



