Turqia kryeson investimet që janë realizuar në Shqipëri gjatë këtij viti. Në periudhën janar-mars 2025 flukset e investimeve turke janë renditur të parat krahasuar me shtete e tjera duke regjistruar shifrën 50milionë euro.
Pas largimit nga sektori i telekomunikacioneve, ndërmarrjet turke vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në sektorin financiar, atë energjetik dhe në industrinë nxjerrëse. Të dhënat e tregojnë se investitori i dytë më i madh i huaj këtë vit është Holanda.
Fluksi investimeve të huaja holandeze rezulton 49 milion euro. Renditja e investitorëve të huaj për 3 mujorin e parë të këtij viti vijon me Italinë ky shtet i ka pozicionuar ato kryesisht në sektorin e shërbimeve. Më pas janë investimet gjermane që pozicionohen në vend të katërt ndjekur nga ato nga Kosova.
Investimet kosovare janë të përqendruara kryesisht në sektorin e tregtisë dhe ndërtimit
Konkretisht, fluksi i investimeve të huaja direkte në janar-mars u regjistrua në 362 milionë euro nga 354 milionë euro që ishte në fillim të vitit 2024. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet e huaja u rritën me 2.3%.
pasuritë e paluajtshme vijojnë të jenë aktiviteti ku përqendrohen pjesa më e madhe e investimeve të huaja, ndjekur më pas nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Në tre muajt e parë të vitit në aktivitetin e pasurive të paluajtshme u investuam rreth 104 milionë euro.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se rreth 29% e investimeve janë në pasuri të paluajtshme, 21% në aktivitete financiare dhe të sigurimit, 14% në industrinë nxjerrëse dhe 9% e investimeve rezultojnë në industri përpunuese dhe tregti me shumicë e pakicë.