Deputetja demokrate Flutura Açka mbajti sot një konferencë nga Kryesia e Kuvendit, ku deklaroi se seancat plenare kishin humbur kuptimin për opozitën, sidomos pas votimit të Kodit të ri Zgjedhor. Ajo tha se kjo ishte arsyeja pse nuk mbajti fjalën e saj të fundit në sallën e Parlamentit.
Sipas Açkës, miratimi i Kodit më 11 maj u kthye në një dhuratë për mazhorancën, e cila solli një fitore të garantuar për Partinë Socialiste dhe thelloi arrogancën e pushtetit.
“Në javët e fundit të kësaj legjislature seancat tona parlamentare e humbën disi kuptimin. Për ne opozitarët seancat kanë humbur kuptimin që me votimin e Kodit të ri Zgjedhor. Jemi ndëshkuar nga shqiptarët për amoralitetin e gatimit të Kodit,” – u shpreh Açka.
Deputetja theksoi se opozitarët që votuan pro këtij Kodi i lehtësuan fitoren kryeministrit Edi Rama, duke i dhuruar 12 mandate shtesë në Kuvend. Ajo e cilësoi këtë një “votim diabolik” që, sipas saj, erdhi pas “flirteve me mazhorancën dhe shkeljes së syrit për komisionin anti-SPAK”.
Açka shtoi se arroganca e pushtetit u bë më e dukshme pas këtij zhvillimi dhe se opozita u ndëshkua politikisht për kompromisin e bërë.