Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në përfundim të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025, vlerëson se Shqipëria vijon të regjistrojë një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, e mbështetur kryesisht nga zhvillimi i fortë i turizmit, inflacioni i ulët, ulja e borxhit publik dhe rezervat e qëndrueshme valutore.
Sipas raportit, rritja ekonomike pritet të mbetet e qëndrueshme në nivelin 3,5% gjatë vitit 2025 dhe të përshpejtohet lehtë në 3,6% në vitin 2026. FMN thekson se ekonomia shqiptare ka tejkaluar tashmë nivelin e saj para pandemisë, falë kombinimit të politikave fiskale dhe monetare të kujdesshme.
Në lidhje me inflacionin, FMN parashikon një rritje graduale nga 2,2% në vitin 2025, drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2026. Ky zhvillim pritet të ndikohet nga një treg pune i shtrënguar dhe rritja e pagave.
Raporti vlerëson pozitivisht disiplinën fiskale të ndjekur nga autoritetet shqiptare, e cila ka çuar në një ulje të ndjeshme të borxhit publik, që pritet të zbresë nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Gjithashtu, rezervat e forta valutore kanë përmirësuar ndjeshëm pozicionin e jashtëm të vendit dhe aftësinë për t’u përballur me goditje të mundshme.
Megjithatë, FMN paralajmëron se rreziqet për perspektivën ekonomike janë zhvendosur drejt kahut negativ, për shkak të një mjedisi të jashtëm gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Mes faktorëve kryesorë të rrezikut përmenden tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, luhatjet e çmimeve të mallrave dhe paqëndrueshmëria në tregjet financiare ndërkombëtare.
Sa i përket nismës së “Paqes Fiskale”, FMN vëren se kjo marrëveshje ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, por paralajmëron se ajo mund të rrezikojë progresin e mëparshëm në administrimin tatimor dhe përputhshmërinë fiskale, nëse nuk zbatohet me kujdes.
Në fund, FMN vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është i përshtatshëm, duke theksuar se banka qendrore duhet të mbetet e gatshme të reagojë shpejt ndaj zhvillimeve të tregut dhe presioneve të mundshme inflacioniste.



