Një skandal me përmasa të gjera është zbardhur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka dorëzuar sot në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim për 27 zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe 2 përfaqësues të një operatori ekonomik privat.
Të akuzuarit, mes tyre ish-nënrektorë, administratorë, drejtues departamentesh dhe anëtarë komisionesh, përballen me akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë “Krijon” sh.p.k. akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Skema e abuzimeve
Sipas SPAK, hetimi i nisur në vitin 2022 ka zbuluar abuzime me 9 procedura prokurimi me vlerë totale 90 milionë lekë. Zyrtarët e UBT në bashkëpunim me operatorët ekonomikë, kanë ideuar projekte fiktive dhe kanë përgatitur dokumente prokurimi me specifikime të hartuara nga vetë kompanitë që shpalleshin më pas fituese.
Në vendimet e hetimit përmenden konkretisht Romina Koto dhe Ilir Kapaj (nënrektorë), Bejo Bizhga (drejtues departamenti), si dhe Edmond Tërthorja, administrator i UBT-së, të cilët sipas SPAK kanë bashkëpunuar për sigurimin e fondeve publike dhe më pas për devijimin e procedurave të prokurimit në favor të disa kompanive të paracaktuara.
Favorizime dhe falsifikime të ofertave
Operatorët ekonomikë “Krijon” sh.p.k., “Zero Group” sh.p.k. dhe “Malvina Visoka PF” kanë ofruar oferta të falsifikuara në emër të kompanive të tjera për të justifikuar fondin limit dhe për të siguruar fitimin e tenderëve. Në disa raste, sipas SPAK, pajisjet ishin shpërndarë muaj para shpalljes së tenderit, çka provon fiktivitetin e procedurave.
Ndër të pandehurit janë edhe: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu dhe Tone Vukaj – të gjithë të dyshuar për përfshirje në manipulimin e tenderëve.
Hetimet vijojnë
SPAK deklaron se hetimet janë ende të hapura për të zbuluar çdo fakt tjetër penal dhe çdo individ tjetër të përfshirë në këtë skemë. Procedimi penal nr.13 i vitit 2022 mbetet një ndër çështjet më të mëdha që godet jo vetëm fushën e arsimit të lartë, por dhe integritetin e menaxhimit të fondeve publike.