Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka bërë me dije në Kuvend se Struktura e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka regjistruar një procedim penal lidhur me abuzimet e fondeve IPARD në Shqipëri. Ai shtoi se hetimet janë në fazën paraprake dhe bashkëpunimi me autoritetet europiane është një element kyç i këtij procesi.
“Po ka regjistruar një procedim, e kam pohuar edhe në Komisionin e Ligjeve, por është bërë deklarim publik nga SPAK në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF dhe zyrën e prokurorit publik europian, kryesisht me OLAF si iniciues i këtij procedimi,” tha Dumani.
Dumani sqaroi gjithashtu se hetimi përfshin çdo person që dyshohet për veprime të kundraligjshme gjatë kryerjes së detyrës, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PD-së, Elda Hoti, për Frida Krifcën.
“Në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës ka kryer veprime të kundraligjshme. Është çështje prioritare, por kushtëzohemi nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja.”
Dumani theksoi gjithashtu se SPAK nuk bën dallime politike në hetime:
“Jemi të ftohtë në hetimin e çështjeve penale. Nuk na intereson se nga cili kamp politik vjen subjekti i veprës penale. E rëndësishme është të sigurohen provat dhe të ngrihet akuzë e suksesshme. Jemi në fazën e hetimeve paraprake.”
Deklarata e tij nënvizon angazhimin e SPAK për të ndjekur ligjin pa paragjykime politike dhe për të garantuar hetime të bazuara mbi prova të qëndrueshme.



