Tryeza e energjisë bëri bashkë sot, përfaqësues të qeverisë, drejtues të sipërmarrjeve private që veprojnë në sektorin elektroenergjetik shqiptar, si dhe investitorë të huaj, në një diskutim të gjerë mbi bashkëpunimin e shkëlqyer të vendosur në mënyrë të veçantë, në pesë vitet e fundit, midis sektorit publik dhe atij privat në fushën e energjisë.
Në nisje të takimit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku bëri një paraqitje të situatës në të cilën ndodhej sektori energjetik në 2013, të arritjeve përgjatë 12 viteve, si dhe rrugëtimit drejt Shqipërisë 2030, me synimin e qartë për ta kthyer vendin një eksportues neto të energjisë dhe në një hub të transmetimit energjetik.
“Kemi bërë një punë shumë e mirë përsa i përket rregullatorit, përafrimit të legjislacionit tonë me atë europian, kemi ngritur sisteme të fuqishme kontrolli të të gjithë kësaj fushe. Kemi investuar në përmirësimin e prodhimit energjetik në Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër duhet thënë kontributi i sektorit privat në fushën energjetike është po aq i vyer sa të gjithë përpjekjet që ka bërë edhe qeveria jonë në këto 12 vite. 5 vjeçari i fundit ka gurë kilometrikë të vendosur, të cilët po krijojnë tanimë një pistë drejtë Shqipërisë 2030, që është edhe synimi ynë për ta kthyer vendin një eksportues neto të energjisë dhe për ta kthyer vendin në një hub të transmetimit energjetik, duke përdorur pozicionin tonë gjeografik dhe ndikimin tonë gjeopolitik.” – u shpreh Zëvendëskryeministrja Balluku.
Kryetari i PSSH Edi Rama i cili mori pjesë në takim tha perspektiva e sektorit duket optimiste. “Pavarësia e plotë energjetike e Republikës së Shqipërisë është afër dhe transformimi Shqipërisë nga një vend me hall të madh pikërisht energjinë, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike është afër.” – u shpreh ai.
Kryetari i PSSH Edi Rama: Nuk besoj se mbeti shumë ose ndonjë gjë e pathënë për t’u thënë. Unë besoj që vetë panorama e kësaj tryeze flet më shumë sesa 100 fjalë për ecurinë e sektorit, për praninë e aktorëve të rëndësishëm në të gjitha zonat e kësaj fushe.
Nga ana tjetër, besoj që dhe fakti që ne jemi sot kaq pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian, të ulur në një tryeze negociatash, ku nuk mund të imagjinohej të ishin qoftë dhe vetëm sikur të kishim situatën e sektorit të energjisë, ashtu siç ishte përpara këtij transformimi, janë fakte kuptimplota dhe janë fakte që na bëjnë mjaft optimistë për të nesërmen e sektorit dhe nëse e nesërmja e këtij sektori është optimiste atëherë gjithë zhvillimi i vendit dhe e nesërmja e vendit është optimiste.
Fakti që sot ne flasim për një prodhim të brendshëm të thuajse të trefishuar është shumë domethënës. Kur mendon që ne nisëm këtë përpjekje me bazën prodhuese të kohës së komunizmit, minus hidrocentralet që në mënyrën më të çuditshme u hoqën nga stoku i aseteve të shtetit dhe iu dhanë një privati me një argumentim që në vetvete është vepër penale e pastër.
Sot ne kemi thuajse dyfishin, ndjesë se më duket se thashë trefishin, në raport me nga u nisëm të prodhimit, por nuk është vetëm rritja e prodhimit, është dhe diversifikimi i bazës, e cila ishte vetëm hidro, gjë që ka gjithë vulnerabilitetin e kuptueshëm edhe pa e futur në ekuacion ndryshimin e klimës, ndërkohë që më ndryshimin e klimës bëhet krejtësisht e paparashikueshme sesi do jetë e ardhmja e hidros.
Kështu që diversifikimi me 10% të prodhimit që sot vjen nga dielli, me fillimin edhe të disa projekteve të erës, me inovacionin e jashtëzakonshëm që do të kemi fatin të kemi në Shqipëri, falë StatKraft që prezantoi këtu në vija të përgjithshme projektin e vet për sistemin e pompimit të ujit, besoj që kemi të gjitha arsyet të mendojmë se pavarësia e plotë e Republikës së Shqipërisë është afër dhe transformimi i Shqipërisë nga një vend me hall të madh pikërisht energjinë, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike është afër.
Paraprakisht janë dy zhvillime historike, që nëse të gjitha gjërat shkojnë sipas programit dhe planeve tona, bazuar në të gjitha kërkesat që kemi aktualisht në administrim nga ana e investitorëve dhe bazuar edhe nga çfarë ne vetë kemi planifikuar, atëherë brenda kësaj dekade do te jetë energjetikisht, totalisht e pavarur nga çdo zhvillim i ardhshëm, por do ta vendosë vetë fatin e vet në raport me energjinë dhe do kalojë në eksport neto, që do të thotë se, nga ana tjetër, nuk është vetëm prodhimi, por është dhe transmetimi që ka njohur një progres të rëndësishëm.
Ashtu sikundër edhe shtrirja e gjithë rrjetit të transmetimit të Shqipërisë në të gjitha drejtimet e mundshme, ku qershia mbi tortë është marrëveshja me Italinë për linjën e interkonjeksionit, me anën tjetër të Europës falë bashkëpunimit tre palësh me qeverinë italiane dhe me qeverinë e Emirateve të Bashkuara.
Përsa i përket pjesës së shpërndarjes dhe të administrimit besoj që e tha vet nga lartësia e autoritetit të tij zoti Petrit që është një monument i sektorit, i gjallë sepse ka ndjekur gjithë procesin qysh në krye të herës. Ka punuar në errësirë, ka punuar në dritë, ka punuar me shkëputje nga sistemi, ka punuar i lidhur me sistemin dhe e tha që tanimë nga pikëpamja e humbjeve jemi në parametra normalë të një vendi europian.
Ndërkohë që ishim një fenomem jashtë Europës se nuk ka qenë para 100 vitesh, ka qenë para një dekade, ka qenë një fenomen ekstra europian. Dhe për të gjetur të ngjashmit tanë duhet të shkonim në vende shumë larg nga Europa, ku energjia ndahej sipas kapacitetit individual për ta vjedhur ose për ta marrë në mënyrë të paligjshme ose për ta marrë ligjërisht dhe për të mos e paguar fare.
Për të kaluar pastaj te pjesa tjetër e mineraleve, ku edhe aty ishim në një situatë xhungle absolute, jo vetëm xhungle, por edhe shfaqjesh krejtësisht të paimagjinueshme për Europën.
Turma fëmijësh të lëshuar mbi kodrat e mineralëve me trasta për të fituar bukën e gojës. Sot kemi një situatë krejt tjetër, por jemi të vetëdijshëm që duhet të rrisim kapacitete tona përpunuese sepse është shumë e qartë që nuk mundet dot të mjaftohemi me sistemimin, normalizimin e sektorit dhe kalimin nga xhungla tek qytetërimi, por duhet të shkojmë më tej, të përpunojmë dhe të eksportojmë produktet e përpunuara, për të krijuar më shumë vlerë të shtuar.
Kjo vlen për mineralet, jo vlen patjetër edhe për hidrokarburet, për naftën, nuk diskutohet.
Patëm një moment optimizmi që lidhet besoj unë edhe me frustrimin historik, kur ishim në kushtet e pritshmërisë së lartë nga Shpiragu. Siç e tha dhe përfaqësuesi i ENI-t është, sasia e zbuluar është shumë e madhe, cilësia shumë e lartë, por vështirësia e nxjerrës, shumë sfiduese.
Ama fakti që ende SHELL nuk po e dorëzon dhe po përpiqet në traditën më të mirë holandeze, që të bëjë pazar për atë pjesë, flet qartë që aty ka një vlerë të madhe, por do të duhet t’i referohemi një teknologjie më të sofistikuar dhe mbase do të jetë fati i atyre që do të vijnë më vonë moshën e shfrytëzimit të pasurive të Shqipërisë, mbase do vijnë më shpejtë, por gjithsesi këtu kemi edhe aktorë të tjerë që janë në faza eksplorimi të avancuara siç është vetë ENI dhe ne jemi shumë krenarë për bashkëpunimin. Siç u tha këtu, është një bashkëpunim që daton në fillimet e shekullit të kaluar pastaj pati një ndërprerje dhe tani jemi rilidhur përsëri.
Këto ishin gjërat që unë do thosha pa ju marrë kohë dhe duke theksuar që ne tanimë, jo vetëm në sektorin energjetik, por në të gjithë sektorët, jemi në kushtet kur mund të mendojmë seriozisht për rritjen e kapaciteteve industriale të vendit, qoftë në sektorin e energjisë, qoftë në sektorin e bujqësisë, qoftë deri edhe në sektorin e mbrojtjes, ku kemi nisur një proces të ri të rilindjes sonë ushtarake dhe kjo në vetvete është një tregues shumë i qartë që jemi në një fazë krejt të re të vendit, por siç u tha këtu dhe u tha nga disa folës, është shumë e rëndësishme që të gjejmë rrugë për të rritur cilësinë e burimeve tona njerëzore, jo vetëm kur flasim për arsim në sensin e viteve të shkollës apo të universitetit, por edhe më pas, pikërisht me shembuj si shembulli i Akademisë së OSHE-së që është një shembull që ka dhënë shumë rezultate pozitive dhe që na tregon shumë qartë se pa shumë shpenzime, pa shumë stërmundime, por thjesht duke krijuar një disponibilitet institucional për të ndarë dijen me ata që vijnë nga shkolla ose që vijnë qoftë edhe nga shkollat profesional por që kanë nevojë të trajnohen në kushtet e realitetit, mund të rrisësh kapacitete e vendit që qoftë në aspektin e sektorit publik, qoftë në aspektin e sektorit privat dhe këtu besoj që janë dhe mundësitë për të bërë bashkëpunime edhe me ju, sepse ju jeni të interesuar për të pasur më shumë burime njerëzore për të zgjedhur, dhe jo thjesht për të mbetur tek ata që vijën te dera ose duke pritur te dera që të vijnë disa të tjerë që nuk vijnë. Këto janë ato që unë doja të bëja në mënyrë konkluzive, me gjithë vështirësinë objektive që më krijoi Zëvendëskryeministrja duke më vendosur pas z. Petrit që ka të gjithë kompetencën dhe kujtesën historike të sektorit dhe vlerësimet e z.Petrit janë pa diskutim arsye objektive, jo subjektive, por objektive, për t’u ndjerë që kemi bërë detyrën. Edhe pagat janë pjesë e rëndësishme e përpjekjes së bërë.
Sot kemi paga shumë më të larta në sektor.
Patjetër që një pjesë e rëndësishme e meritës për rritjen e rëndësishme të pagave, i takon dhe sektorit privat. Tanimë nuk flas për ju që jeni këtu në tryezë se nuk do ishte e mirësjellshme, por në tërësi dhe kompanitë, sipërmarrësit shqiptarë e kuptuan që përpjekja për ta mësuar gomarin që të jetojë pa ngrënë, nuk është objektivisht e arsyeshme dhe momenti pastaj i ngordhjes së gomarit, kur pikërisht ti je i lumtur se ai nuk po ha më dhe ndërkohë po ngarkohet, ju afrua shumë afër shumë sipërmarrjeve që e kuptuan që kolonat antike dhe dekoret me flori fallco janë shumë më pak të rëndësishme për ecurinë e një sipërmarrjeje sesa burimet njerëzore dhe investimi në makinën e 4-ët ose në fuoristradën e 6-të, është më i paarsyeshëm sesa investimi tek burimet njerëzore.
Nuk ka të ardhme asnjë kompani nëqoftëse nuk ka njerëzit.
Kjo e thënë kështu, duket sikur është ndonjë banalitet total, por faktikisht për një kohë u besua nga sipërmarrja shqiptare që krahu i lirë i punës, do të mbetej përjetësisht një avantazh konkurrues pikërisht sepse u ec për një kohë të gjatë me idenë që në vend se ta ushqeje dhe ta mbaje mirë kapacitetin njerëzor në dispozicion, mund ta mësoje pa ngrënë.
Edhe sot, shohim që pagat nuk janë më problemi kryesor madje unë kam dëgjuar nga shumë sipërmarrës që thonë “ore, nuk është problem sa, sa t’i jap. Problemi është të më vijë dhe të nënshkruajë kontratën për të më bërë punë dhe të jetë në gjendje të bëjë punën që dua. Pastaj se kam problem t’i jap një pagë shumë të mirë” dhe në këto kushte duhet të gjejmë rrugët e bashkëpunimit edhe për të fuqizuar bazën e arsimit profesional, gjë që në këtë sektor ka nisur dhe do jetë shumë e vlefshme sa më shumë që të kalojë koha, se në fund të fundit ju e bëni investime që janë “State of the art” në kuptimin më të mirë të fjalës.
Unë kam qenë në disa nga investimet tuaja dhe janë 100% standarde evropiane, jo 99 dhe të kesh një makinë siç është një investim i juaji dhe të pretendosh që ti të rrish prapa dhe ta ngasë një shofer që s’ka patentë, kjo është një investim në vetëvrasje, kështu që, ashtu siç janë bërë shpenzime të mëdha për investimet, duhen bërë shpenzime të konsiderueshme dhe për burimet njerëzore. Nuk ka diskutim.
Nëse ne, nga pikëpamja e investimeve, ato që shohim që ju bëni sot ndjehemi kur vijmë në derën tuaj sikur jemi në Evropë, atëherë duhet ta kuptoni që edhe burimet njerëzore duhet t’i paguani si në Evropë ndryshe nuk i ke dot, shumë e thjeshtë, nuk i ke dot, do ulen pak marzhet e fitimit, por ama do garantohet fitimi afatgjatë.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe shumë faleminderit për kontributet dhe për mirëkuptimin që fjala ime nuk ishte në lartësinë e parafolësit.
Faleminderit!