Jo vetëm në SPAK, por edhe në Gjykatën Kushtetuese pritet ndryshim drejtuesish. Holta Zaçaj, e cila aktualisht ushtron detyrën e kryetares së Kushtetueses, është në ditët e fundit të mandatit të saj si gjyqtare.
Procesi i përzgjedhjes së anëtarit të ri është në fazën përfundimtare. Gjashtë kandidatë janë në garë dhe po i nënshtrohen vlerësimit me pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Brenda javës së ardhshme pritet të shpallen tre më të vlerësuarit.
Më pas, Gjykata e Lartë, si institucioni përgjegjës për plotësimin e vakancës, do të mblidhet në një seancë të posaçme për të votuar mbi kandidatët. Ai ose ajo që merr më shumë vota do të zërë karrigen e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Në garë janë figura të njohura të sistemit të drejtësisë, që vijnë nga Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe institucionet e Vettingut si KPA dhe KPK.
Përveç kësaj vakance, Kushtetuesja pritet të rinovohet edhe me dy anëtarë të tjerë, një të propozuar nga Presidenti dhe një nga Kuvendi. Kjo procedurë pritet të nisë pas mbledhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses në mes të tetorit, ku do të përcaktohet përfundimisht kohëzgjatja e mandateve.
Pas largimit të Zaçajt, vetë trupa e Gjykatës Kushtetuese do të zgjedhë mes tyre kryetarin e ri të institucionit më të lartë të drejtësisë.