Gati 710 miliardë lekë apo 7.1 miliardë euro. Kaq para u futën në arkën e shtetit vitin e shkuar. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se kjo shumë është 65.9 miliardë lekë apo 10.2 për qind më e lartë se gjatë vitit 2023.
“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të tregojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, tha për A2 CNN, eksperti për ekonominë, Zef Preçi.
Mirëpo, me gjithë ecurinë pozitive gjatë vitit të shkuar nuk u arrit të futeshin aq para sa ishte planifikuar. Ministria e Financave kishte planifikuar që në 12 muajt e lënë pas të mblidheshin 714 miliardë lekë, por u arkëtuan vetëm 709.5 miliardë.
“Kjo duhet të shërbejë si arsye që në vijim të mos ketë gjithmonë vetëm parashikime optimiste, por të rrimë edhe me këmbë në tokë. Përjashtimet fiskale dhe paaftësia e administratës janë arsye të tjera që kanë çuar në këtë ecuri”, shtoi Preçi.
Dy nga shkaqet kryesore të evidentuara gjatë vitit të shkuar që ndikuan negativisht në realizimin e të ardhurave, ishin zhvlerësimi i valutave, që ndikoi negativisht tek të ardhurat doganore, por nga ana tjetër edhe heqja e tatimit 15% për profesionistët e lirë uli pritshmëritë për të ardhurat.