back to top
3.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëGazetari i vërtetë nuk ka nevojë të shpif

Gazetari i vërtetë nuk ka nevojë të shpif

Artan Fuga

Kryetari i ekzekutivit deklaroi në media se shpifja nga ana e gazetarëve nuk do të konsiderohet, sikurse ishte parashikuar nga ministria e drejtësisë, si vepër penale! Kjo, si një masë për t’u integruar në Evropë!!!
Pyetja vjen si më poshtë?
A i vlen gazetarisë shqiptare që shpifja të ckriminalizohet, pra të mos quhet krim, por ta zemë kundravajtje civile?
Po të shpifim më shumë, a kemi shanse të integrohemi më shpejt në Evropë?
Duket se po u jepet liri më shumë gazetarëve!!! Për çfarë? Për të shpifur!
A është kjo një shkallë lirie më e madhe për gazetarët? Pse liria për të shpifur pa pasur frikë nga një dënim penal qenka liri, qenka më tepër liri?
Po sikur gazetari të shpifë ndaj një qytetari në punë të vet? Në këtë rast, demokratike është të mbrosh gazetarin gjobaxhi apo qytetarin në punë të vet?
Do të bëhet edhe media si Kuvendi ku politikanët hedhin lloj lloj trungjesh mbi njëri tjetrin dhe qeshin, gajasen. Liri e plotë! Dhe qytetarët nuk kuptojnë më ore vërtet desh vrau veten filani se humbi 5 milionë euro, ore vërtet ky është i lidhur me banda, ore vërtet na i kanë vjedhur votat apo jo?
Apo shpifje?
S’e merr vesh i pari të dytin!
Cfarë do të thotë që për gazetarët shpifja nuk do të quhet krim?
Për dikë që shpif dhe dëmton reputacionin e dikujt tjetër, i sjell dëme atij, i merr erzin, kjo quhet krim, kurse po e bëri gazetari, nuk quhet? Po pse? Ku është barazia para ligjit këtu midis qytetarëve?
Ckriminalizoht shpifja në gazetari, apo për gazetarët? Se hajde gjeje kush është gazetar dhe kush nuk është? ! Ku është shkruajtur dallimi juridik midis gazetarit, influencuesit, qytetarit që shkruan “gazetari qytetare” në rrjetin e vet social, opinionistit, që të thuhet je gazetar apo nuk je gazetar?
Del opinionisti në panel dhe shpif! Aaaaa, nuk ka problem, nuk ka krim. Përballë tij një i ftuar: Kujdes ti ore se ha burg nëse shpif!
Pikë e zezë çfarë juristësh e konsultojnë ekzekutivin!
Por, kur një gazetar që shpif për komshiun e vet, edhe në këtë rast meqë është gazetar nuk i quhet krim kur e merr nëpër gojë, e fyen, shpif, shkatërron psikologjikisht tjetrin?
Apo vetëm kur është në orar të punës?
Kur mbaron orari i punës?
Asnjë veprim nuk mund të klasifikohet nëse nuk merren parasysh pasojat e tij. Ja ta zemë dikush nën shpifjen e nja dhjetë gazetarëve në media të ndryshme vret veten nga sëkëlldia, apo nën shpifjet e gazetarëve i falimenton biznesi, i traumatizohen fëmijët, i prishet familja, pra pëson humbje të mëdha, as në këtë rast nuk quhen shpifja krim?
A ka nevojë gazetari që të shpifë, ose pa dashje të raportojë duke lënë hapësira të akuzohet për shpifje? Një gazetar i formuar mirë kurrë nuk bie në këto gracka amatorësh. Mjafton ta ketë mësuar mirë në shkollë raportimin e lajmit dhe redaktimin e tij. Mjafton që kur të marrë kartën e gazetarit (sa mirë të kishte një juri për të akorduar kartën e gazetarit!) të tregojë se di të redaktojë.
Dekriminalizimi e dëmton median, gazetarinë, opinionin publik, informimin e publikut. Pse? Sepse do të mbushet tregu i lajmit me lloj lloj të pavërtetash. Nuk do të dallohet më si tani se çfarë është shpifje dhe çfarë është e vërtetë e konfirmuar.
Kujt i shërben kjo? Gjobavënësve në media kushdo qofshin! Iu shërben të korruptuarve! Iu shërben të pushtetshmëve që për çdo akuzë të medias ndaj tyre thonë : ehuuu shpifje, por nuk e hedh në gjyq gazetarin se jam për fjalën e lirë!
Problemi pra nuk është ta heqësh shpifjen në gazetari nga lista e krimeve. Por ta përkufizosh mirë. Mos quash shpifje supozimin, ngritjen e pyetjeve, nënkuptimet e interpretueshme sipas qejfit, investigimin e ashpër nga ana e gazetarëve, dyshimin, raportimet e bazuara në burime të referuara ndonëse jo plotësisht të verifikuara, atribuimet e informacionit te të tretët, etj. Nëse këto përkufizime bëhen si duhet juridikisht, asnjë gazetar nuk ka frikë nga ligji ose nga nga ndonjë arbitraritet gjyqësori.
Për të gjitha raportimet e denoncuara si shpifje duhet të përgjigjet media përkatëse jo gazetari. Kjo është ta mbrosh gazetarin. Kush akuzon pa baza gazetarin për shpifje nëse humb davanë duhet të ngarkohet edhe me tentativën e mbytjes së fjalës së lirë!
Kjo mbron gazetarin!
Gazetarinë!
Qytetarin!
Informimin e saktë kundër përzjerjes së ujrave të pastra me jashtëqitjet ku pastaj askush nuk merr vesh të pari të dytin, dhe ku çdo gjë quhet : e mo se shpifje janë!
Nuk ka nevojë gazetari për t’i thënë shpif sa të duash, nuk është krim për ty, pavarësisht se i prishe jetën dikujt!
spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat