back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 11 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetPërplasja për Rrjollin thellohet/ “Gener 2” çon në prokurori deputetë dhe protestues

Përplasja për Rrjollin thellohet/ “Gener 2” çon në prokurori deputetë dhe protestues

Kompania “Gener 2” ka depozituar katër kallëzime penale ndaj deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri, avokatit Ndue Pjetra dhe banorit të Rrjollit, Prekë Molla, duke i akuzuar për shpifje dhe denigrim.

Lajmi u bë publik përmes një deklarate për shtyp të kompanisë, e cila u raportua më pas nga televizioni A2 CNN, në pronësi të sipërmarrësit Bashkim Ulaj, njëkohësisht aksioneri kryesor i “Gener 2”.

Në reagimin e saj, kompania paralajmëroi se çdo përpjekje për presion politik apo mediatik do të përballet me drejtësinë. “Theksojmë qartë se çdo përpjekje për gjobëvënie politike apo ‘mediatike’ do të marrë një përgjigje të vetme dhe të prerë: përballjen me drejtësinë”, thuhej në deklaratë.

“Gener 2” pretendon se është bërë objekt i një fushate me informacione të pavërteta, që sipas saj kanë dëmtuar imazhin e kompanisë. Ndërkohë, përfaqësues të Partisë Mundësia e konsiderojnë këtë veprim si një precedent të rrezikshëm që synon të heshtë kritikët, përfshirë deputetë dhe aktivistë.

Nga ana tjetër, personat e kallëzuar e kundërshtojnë këtë qasje. Avokati Ndue Pjetra dhe protestuesi Prekë Molla deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga denoncimet e tyre dhe se kallëzimet nuk do t’i ndalin në kërkimin e së vërtetës.

Konflikti lidhet me ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo” në zonën e Rrjollit, i nisur prej më shumë se një viti nga kompania “Gener 2”. Banorët pretendojnë se projekti po zhvillohet mbi toka që u përkasin atyre dhe që, sipas tyre, janë përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Në një koment publik, Agron Shehaj akuzoi se kompania gëzon mbështetje politike nga mazhoranca, duke përmendur edhe raste të tjera kontratash publike. Sipas tij, kallëzimet për shpifje po përdoren si një strategji për të zbehur denoncimet për korrupsion.

Edhe deputeti Erald Kapri e cilësoi situatën shqetësuese, duke theksuar se vendosja nën presion e përfaqësuesve publikë mund të krijojë një efekt frenues në hapësirën publike, ku gazetarë dhe qytetarë mund të vetë-censurohen nga frika e proceseve gjyqësore.

Ndërkohë, avokati Pjetra bëri të ditur se për çështjen e dokumenteve të pretenduara si të falsifikuara pritet një ekspertim nga Prokuroria e Shkodrës, ku janë angazhuar prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë.

Nga ana e tij, protestuesi Prekë Molla deklaroi se punimet në terren po vijojnë me ritme të shpejta dhe shprehu bindjen se e vërteta do të dalë në pah pas përfundimit të hetimeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat