Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas deklaratave të Sali Berishës, i cili pretendoi se Gilmando Dani, viktima e atentatit pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ka qenë truproja e tij. Gonxhja i ka cilësuar këto deklarata si të pavërteta, duke thënë se nuk ka patur asnjëherë lidhje me personin në fjalë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri u shpreh se emrin e Gilmando Danit e ka dëgjuar vetëm përmes mediave pasi ndodhi atentati.
“Fake News, Lajm i Rremë, Gënjeshtra. Sot Saliu llomoit se paskam patur ‘badigard’ dikë që as e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë dhe që emrin e këtij subjekti e mësoj si shumica e njerëzve nga kronika!”, shkroi Gonxhja.
Ai shtoi se edhe akuzat e mëparshme të Berishës, sipas të cilave ai ishte financuar në fushatë nga i njëjti person ishin po aq të pavërteta.
“Para dy ditësh dilja i financuar nga subjekti në fjalë! S’reagova sepse supozova se ishte broçkull. Por tani do t’i provosh në gjykatë të gjitha akuzat, Sali!”, përfundoi Gonxhja.
Nga ana tjetër, Berisha ka deklaruar publikisht se “Muç Shaljani është financues i fushatës së Ervin Hoxhës, ndërsa Gilmando Dani badigard i Blendi Gonxhjes”, duke akuzuar qeverinë se ka lidhje me botën e krimit.



