Mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mori pjesë në një takim të organizuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi. Në takimin katërpalësh ishin të pranishëm dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe Drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e një procesi zgjedhor të qetë, të sigurt dhe të besueshëm në çdo fazë të tij.
Në fokus:
Masat konkrete për parandalimin e shkeljeve dhe ndërhyrjeve në vullnetin e zgjedhësve
Hetimi dhe ndëshkimi i shpejtë i shkeljeve të ligjit zgjedhor
Votimi nga jashtë vendit – sfida dhe garancia e së drejtës së votës për emigrantët
Koordinimi i ngushtë për një menaxhim efikas të ditës së votimit dhe numërimit
Institucionet rikonfirmuan angazhimin për të vepruar me prioritet kundër:
Shitblerjes së votës
Presioneve dhe intimidimeve ndaj zgjedhësve
Çdo tentative për të cenuar integritetin e zgjedhjeve
Krerët e institucioneve vizituan gjithashtu Qendrën Operacionale të Kundër Krimeve Zgjedhore në KQZ, ku janë vendosur përfaqësues të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Të katër institucionet rikonfirmojnë angazhimin e tyre publik për të adresuar shpejt dhe në përputhje me parashikimet respektive ligjore, jashtë çdo interesi politik dhe elektoral, çdo parregullsi që synon të cënojë integritetin dhe standardin e zgjedhjeve për Kuvendin, të datës 11 Maj 2025.
Krerët e institucioneve diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dhe ecurinë e deritanishme të veprimeve ligjore që kanë për detyrë këto institucione, si dhe shprehën gatishmërinë për të punuar bashkërisht për mbarëvajtjen e procesit.
Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda i njohu krerët e institucioneve, me veprimet ligjore të Policisë në terren, në luftë kundër krimeve elektorale, me masat e ndërmarra për parandalimin e konflikteve të mundshme, si dhe me veprimet konkrete për trajtimin me shpejtësi të tyre.
Drejtori i Përgjithshëm garantoi se Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me këto institucione dhe me çdo agjenci ligjzbatuese tjetër, në interes të garantimin të sundimit të ligjit.
Proda: Kam kërkuar nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit rritje të vigjilencës, kujdes të shtuar në postimet e tyre në rrjetet sociale dhe qendrim larg çdo nuance politike. Shërbimet e Policisë janë duke punuar 24/7 në luftë kundër paligjshmërive, si dhe për të garantuar një ambient sa më të sigurtë për qytetarët.